Sport

Kumbulla dhe Mourinho thurin lëvdata për njëri tjetrin


Marash Kumbulla ishte një nga futbollistët më të mirë në fushë, në fitoren ekipit të tij, Romës, me rezultat minimal 1:0 ndaj Cagliari-t.

Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, mbrojtësi kuqezi foli në një intervistë, teksa tha se ndihet i lumtur në klubin e Romës.

“Jam i lumtur pasi që luajta këtë ndeshje pas një periudhe të vështirë, në të cilën nuk isha në ndeshjet e fundit”, tha Kumbulla.

“Kjo paraqitje e mirë vjen falë shokëve dhe trajnerit, të cilët më kanë dhënë shumë këshilla. Kam dhënë maksimumin në stërvitje, për të qenë i gatshëm që të jap kontributin tim”, shtoi mbrojtësi kuqezi.

Tutje 21 vjeçari tha se ndihet futbollist i vlerësuar, por do të punoj me përulje për të dhënë maksimumin në çdo ndeshje.

“Jam këmbëngulës dhe e konsideroj vetën futbollist të përulur. Mundohem të jap maksimumin për skuadrën dhe mendoj se këtë gjë e ka vlerësuar tashmë trajneri im”, shtoi mes tjerash Marash Kubulla.

Fjalë të mira për mbrojtësin shqiptar pati edhe trajneri Jose Mourinho, i cili tha se Kumbulla ishte më i miri në fushë në këtë ndeshje.

“Kumbulla ishte më i miri në fushë. Ai ka bërë një ndeshje fantastike dhe është një kënaqësi e madhe, sepse në disa momente ka pasur vështirësi”, tha Mourinho.

“Special One” e ka pranuar se e ka kritikuar shumë Kumbullën dhe kritikat e kanë përmirësuar dukshëm shqiptarin.

“Kam qenë negativ në reagime, por ai ka qenë gjithmonë i përulur dhe është rritur. Në mbrojtjen me tre lojtarë ai ndihet më i qetë dhe luajti mirë, sikurse edhe Mancini”, tha tekniku portugez.

Kujtojmë që Kumbulla është pjesë e klubit nga kryeqyteti italian që nga vera e vitit të kaluar, kur u transferua nga Verona për shumën e 26 milionë eurove.

Qendërmbrojtësi kuqezi, deri më tani ka bërë 42 paraqitje me skuadrën e Romës, prej të cilave ka gjetur rrugën e rrjetës në dy raste.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore