Lajme

Kufizimet nga Coronavirusi po lehtësohen në të gjithë Evropën, pavarësisht rritjes së rasteve


Kufizimet e pandemisë po hiqen me gatishmëri në të gjithë Evropën, pavarësisht se shumë vende po përjetojnë një rritje rekord të rasteve të Coronavirusit dhe shqetësimeve për dështimin për të vaksinuar shumë njerëz që konsiderohen “të pambrojtur ndaj infeksionit”.

Në Gjermani shumica e kontrolleve pandemike u hoqën të dielën e 20 marsit, pas një debati të nxehtë parlamentar të premten w 18 marsit, i cili çoi në votimin pro të dy dhomave të parlamentit.

Kjo ndodhi pavarësisht se rastet në Gjermani arritën një rekord të ri ditor prej gati 300 mijë të infektuarish, një normë shtatë ditore e incidencës prej 1 mijë e 706 raste për 100 mijë banorë.

Ndërtesa e parlamentit të Gjermanisë.

Ndërkaq, shumica e popullsisë shprehu shqetësimin se relaksimet po vinin shumë shpejt. Gjermania ka regjistruar vdekje ditore prej mbi 200 sosh prej disa javësh, shkruan The Guardian.

Por, rastet po rriten edhe në Austri, Holandë, Zvicër dhe Francë.

Ndërtesa e parlamentit të Austrisë.

Autoritetet në Austri thanë se nuk kishin zgjidhje tjetër përveç rivendosjes së mandatit të maskës së fytyrës për hapësirat e brendshme, në dritën e një rritjeje të madhe të rasteve në 3 mijë e 600 për 100 mijë banorë.

Ministri i Shëndetësisë, Johannes Rauch, njoftoi të premten se nga mesi i kësaj jave maskat mjekësore do të duhet të vishen përsëri.

Austria po shqyrton në të njëjtën kohë zvogëlimin e kohërave të karantinës për shkak të mungesës akute të infermierëve dhe personelit tjetër spitalor ndërsa infeksionet rriten, duke çuar në shtyrjen e operacioneve dhe një numër rekord dorëheqjesh midis personelit mjekësor.

Në Francë, shumica e kufizimeve u hoqën javën e kaluar, duke përfshirë detyrimin për të mbajtur një maskë në ambiente të mbyllura, përveç në transportin publik, dhe për të treguar një “Pass Vacinal” që vërteton vaksinën ose statusin e rikuperimit.

Flamuri i Francës.

Numri i rasteve të reja është rritur me një të katërtën që nga java e kaluar, sipas autoriteteve shëndetësore, dhe ishte në nivelin më të lartë përgjatë rajonit kufitar me Gjermaninë.

Autoritetet franceze thanë se situata në klinika mbetet e qëndrueshme dhe se numri i pacientëve në kujdesin intensiv dhe numri i vdekjeve nga Coronavirusi po zvogëlohej.

Gjatë një prezantimi katër-orësh të programit të tij zgjedhor të enjten e 17 marsit, presidenti, Emmanuel Macron, i referohej pak pandemisë.

Ndërkohë, kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, paralajmëroi të mos besohet se virusi ishte mposhtur, pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të premten e 20 marsit, se ishte “larg të qenit i përfunduar”.

Kyriakos Mitsotakis – Kryeministër i Greqisë.

“Kohët e fundit ne të gjithë po merremi me luftën në Ukrainë dhe çmimet e larta”, tha Mitsotakis në një postim në Instagram, pasi rezultoi pozitiv, “por Coronavirusi është ende shumë me ne”.

Një grup rregullash janë në fuqi në të gjithë kontinentin, me vende të tilla si Italia dhe Spanja, të cilat u goditën më keq në fazat më të hershme të pandemisë në vitin 2020, që duket se marrin qasjen më të kujdesshme për lehtësimin e rregulloreve.

Në Spanjë, maska ​​​​për fytyrën kërkohen ende në shkolla, restorante, në transportin publik dhe në hapësira të tjera të brendshme, dhe 211 mijë e 241 raste të reja me COVID janë regjistruar gjatë dy javëve të fundit.

Numrat kanë qenë në rritje që nga java e kaluar, në rreth 446 raste për 100 mijë gjatë një periudhe shtatë ditore.

Por përqindja e shtretërve të kujdesit intensiv të zënë nga pacientët me COVID, ka rënë me pak më pak se 3% në 6.6% krahasuar me një dy javë më parë.

Spanja ka një nga nivelet më të larta të vaksinimit nga çdo vend evropian, me 92.3% mbi moshën 12 vjeç që kanë kryer dy vaksinime, ndërsa 51.3% kanë bërë tre sosh.

Qeveria spanjolle ka sinjalizuar synimin e saj për t’i dhënë fund përdorimit të detyrueshëm të maskave në hapësirat e brendshme, por tha se nuk ishte ende gati për të caktuar një datë.

Carolina Darias – Ministre e Shëndetisë në Spanjë.

“Është e vërtetë që gjithçka sugjeron që ne po i afrohemi gjithnjë e më shumë kësaj, por për ne, mënyra se si e bëjmë është po aq e rëndësishme sa kur e bëjmë atë”, tha ministrja e shëndetësisë, Carolina Darias.

Spanja ka humbur të paktën 101 mijë njerëz nga virusi.

Gjithashtu, së fundmi edhe Italia njoftoi planet për të hequr gradualisht masat e saj të mbrojtjes, pavarësisht nga një rritje e rasteve që nga fillimi i marsit, dy vjet pasi virusi u përhap në vend me efekt shkatërrues, duke marrë mbi 157 mijë jetë.

Lehtësimi i rregullave do të thotë që kërkesa për të treguar një certifikatë shëndetësore për të hyrë në shumicën e vendeve publike, nga teatrot e deri në restorante, do të hiqet.

Ndërtesa e parlamentit të Italisë.

Kryeministri i Italisë, Mario Draghi, ka thënë se qeveria rezervoi të drejtën për të rifutur kufizime nëse është e nevojshme, por shtoi se vendi tani ishte në një pozicion të mirë për të përballuar virusin pasi pothuajse 84% e italianëve kishin marrë njërën dozë të vaksinës.

Ndërkohë në disa nga vendet nordike, ku pothuajse të gjitha kufizimet janë hequr, numri i infeksioneve të regjistruara ka rënë ndjeshëm gjatë javëve, pas ritmeve rekord të vërejtura në muajin shkurt.

Disa janë skeptikë, duke sugjeruar se rënia mund të lidhet me mungesën e testimit. Por ekspertët thonë se Danimarka, Suedia, Norvegjia, Islanda dhe Finlanda kanë shkallë të lartë të vaksinave, duke u dhënë atyre mbrojtje më të madhe.

Në Gjermani, mandati i vaksinës është ende duke u debatuar për shkak të normave të vaksinave që konsiderohen shumë të ulëta, veçanërisht në mesin e të moshuarve dhe shumë nën synimin e vetë qeverisë, në pak më pak se 76%.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka përdorur një ngjarje të fushatës zgjedhore rajonale në Saarland për t’u bërë thirrje më shumë gjermanëve që të marrin vaksinat.

Olaf Scholz – Kancelar i Gjermanisë.

“Ne duhet të qëndrojmë për njëri-tjetrin,” tha ai, duke luftuar për t’u dëgjuar mes thirrjeve nga protestuesit nga lëvizja Querdenker skeptike ndaj COVID.

“Ku është solidariteti, kur nuk ju shqetëson nëse po infektoni njerëz të tjerë apo jo? Liria funksionon vetëm kur do të thotë liri për të gjithë”, tha ai.

Po ashtu, ministri gjerman i shëndetësisë, Karl Lauterbach, akuzoi ata që refuzojnë një vaksinim se “mbajnë peng pjesën tjetër të vendit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore