Lajme

‘Kthehu, z. President’: Orbán mezi pret të shohë Trump-in sërish në krye të detyrës


Udhëheqësi hungarez Viktor Orbán ka bërë thirrje për kthimin e Donald Trump-it në detyrë.

Ai ka pretenduar se marka e tyre e përbashkët e populizmit të djathtë është në rritje në mbarë botën.

Pretendimin, së bashku me thirrjen për Trump-in, ai e bëri në një fjalim para republikanëve amerikanë dhe aleatëve të tyre evropianë në Budapest.

Orbán po i drejtohej takimit të dytë vjetor të Koalicionit të Veprimit Politik Konservator të SHBA-ve (CPAC) në kryeqytetin hungarez, që synonte çimentimin e lidhjeve të krahut të djathtë radikal përtej Atlantikut.

Sipas tij, konservatorët kanë “pushtuar strehë të mëdha evropiane”, si Budapestin, Varshavën, Romën dhe Jerusalemin.

Po ashtu edhe Vjena “nuk është e pashpresë”.

Ai vuri në dukje se Washington-i dhe Brukseli ishin ende në kontrollin e liberalizmit, të cilin ai e përshkroi si një “virus që do të atomizojë kombet tona”.

“Jam i sigurt se nëse presidenti Trump do të ishte president, nuk do të kishte luftë në Ukrainë dhe Evropë. Kthehu, zoti President. Bëje Amerikën sërish të madhe dhe na sill paqe”, ka thënë ai.

Kryeministri, i cili vitin e kaluar fitoi mandatin e tij të katërt radhazi në detyrë, portretizoi “demokracinë e krishterë joliberale” të vetë-përshkruar të Hungarisë – e kritikuar gjerësisht për kufizimet e saj në media dhe lirinë akademike.

Por edhe për legjislacionin e saj anti-LGBTQ+, si një model për botën.

“Hungaria është një inkubator ku po testohen politikat konservatore të së ardhmes”, ka theksuar Orbán.

Vendi i konferencës, një ndërtesë moderniste e quajtur Bálna, ishte zbukuruar me mesazhe që i bënin jehonë kësaj teme.

Disa të ftuar mbërritën me bluza që shfaqnin Orban-in dhe Trump-in së bashku si “paqebërës” dhe “shpëtimtarë të botës”.

Motoja e ngjarjes së këtij viti 2023 ishte “Të bashkuar qëndrojmë”.

Në ditën e saj të parë, konferenca CPAC pa një video përshëndetje 25 sekondash nga Tucker Carlson, një admirues i zjarrtë i Orban-it, i cili u regjistrua qartë përpara se ai të pushohej nga Fox News javën e kaluar.

Shumica e gazetarëve të pavarur iu refuzua akreditimi për këtë ngjarje, në një vend ku Instituti Ndërkombëtar i Shtypit ka thënë se liria e medias “mbetet e shtypur”.

Gjatë shpërthimit të COVID-it, qeveria e Orban miratoi një ligj që vendos dënime me burg deri në pesë vjet për përhapjen e dezinformatave.

Gazetarët hungarezë thonë se ligji po përdorej për t’u mohuar aksesin në informacion dhe me raste për t’i kërcënuar ata.

Kryetari i CPAC-së, Matt Schlapp, ka thënë se Hungaria ishte një model për t’u marrë me gazetarët.

Po ashtu u ka thënë organizatorëve hungarezë të ngjarjes se ekipi i tij ‘do të përcaktonte se kush është një gazetar”, duke shtuar se kjo ishte “mjaft revolucionare për amerikanët, sepse në Amerikë një gazetar u thotë atyre se kush është gazetar dhe ne i trajtojmë ata si gazetar”.

Sipas Schlapp, në Hungari gazetarët duhej të ndiqnin disa rregulla në lidhje me shkrimin e së vërtetës dhe paraqitjen e “të dyja anëve” të një historie.

Orbán mund të tregojë për një zgjerim të koalicionit radikal të djathtë këtë vit, me praninë e kryeministrit gjeorgjian, Irakli Garibashvili, i cili vlerësoi homologun e tij hungarez si “largpamës”.

Gjithashtu theksoi angazhimin e partisë së tij Ëndrra Gjeorgjiane për t’i dhënë përparësi vlerave familjare mbi “propagandën LGBTQ”.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore