Shqipëria

Kryedemokrati i pestë që dorëhiqet, më jetëgjati pas Berishës


Pas një kryesimi 9-vjeçar të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zyrtarisht u bë kryetari i pestë i kësaj force politike që jep dorëheqjen.

Basha udhëhoqi selinë blu nga 15 shtatori i vitit 2013 deri më 21 mars të vitit 2022.

Në të njëjtën kohë, jetëgjatësia politike në krye të demokratëve, e vendos ish-kryetarin e PD-së tanimë, në podium pas Sali Berishës.

Ish-lideri demokrat ruan të paprekur hegjemoninë 17-vjeçare nën drejtimin e selisë blu.

Në ditën botërore të poezisë, dorëheqja e Bashës nuk kishte asgjë poetike.

Fjalimi i largimit nga drejtimi i PD-së hidhte sytë nga e ardhmja e forcës politike për të arsyetuar vendimin e tij.

“PD-ja duhet të shohë drejt të ardhmes, unë jam dhe do jem tërësisht i angazhuar krah jush”, ishte një nga angazhimet e ish-kryedemokratit.

Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha

Ndryshe nga Berisha që nuk e konsideroi asokohe fjalën e tij të dorëheqjes si një fjalim lamtumire, Basha dha sinjale të forta revokimi ndaj vetes.

Ish-kryedemokrati e bëri të qartë sakaq se kontributi i tij për këtë forcë politike nuk do të ndalej.

“Kjo do të thotë se unë do të vazhdoj pa reshtur e pa u lëkundur të punoj, duke u përkushtuar me mish e me shpirt për këtë ringritje të PD-së rreth vlerave, parimeve dhe standardeve tona si demokratë”.

Në vitin 2013 Berisha do të ndante një premtim të përmbushur kur ravijëzonte para anëtarëve dhe mbështetësve se nuk do të dëgjojnë ndonjëherë “fjalimin e lamtumirës”.

Kjo, për faktin e thjeshtë se ai do të ishte një fjalim, të cilin Berisha “s’do mund ta lexonte kurrë”.

Basha pason një historik galopant mes viteve 2000 dhe viteve të para të demokracisë në Shqipëri ku janë regjistruar dhe dy kryesi provizore të PD-së.

Berisha-Hajdari

Në hapat e parë të Partisë Demokratike por edhe gjatë lëvizjes studentore, një nga figurat që do të shpërfaqej ishte pikërisht Berisha.

Berisha u zgjodh si kryetar i parë i PD-së, duke mos përfshirë drejtimin gati dy mujor të Azem Hajdarit.

Me krijimin e PD-së si forcë politike u krijua një komision nismëtar, kryetar i së cilit ishte Hajdari.

Partia Demokratike garoi për herë të parë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare vetëm katër muaj pas formimit të saj më 31 mars të vitit 1991.

Asokohe zgjedhjet u fituan nga Partia e Punës, por rezultatet e saj do të pasoheshin menjëherë një vit më pas nga zgjedhjet e 22 marsit.

Azem Hajdari

Më 13 shkurt të vitit 1991, Berisha u zgjodh kryetar i Komitetit Drejtues të PD-së.

Në zgjedhjet e 22 marsit të vitit 1992, PD-ja fitoi gjerësisht në të gjithë Shqipërinë – 92 ulëse.

Më 9 prill të po atij viti, me 96 vota pro dhe 35 kundër, Berisha u zgjodh president i ri i vendit.

Një ditë më pas, Berisha do dekretonte qeverinë e Aleksandër Meksit – një nga figurat kryesore që u rendit pas Berishës në zgjedhjet brenda PD-së.

Më 16 prill do të mbahej Konferenca Kombëtare e PD-së.

Kjo e fundit do të nxirrte kryetarin e dytë në historinë e selisë blu.

Selami-Shehu

Eduard Selami, i cili deri në atë kohë mbante postin e sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, do të pasonte Berishën.

Sipas dëshmive të kohës nga aktorët brenda partisë, Selami mori 411 vota nga 485 gjithsej.

Në Kuvendin e Dytë të PD-së që u mbajt më 4 dhjetor të vitit 1993, Selami u rizgjodh në postin e kryetarit.

Drejtimi i Selamit do të vijonte deri në mars të vitit 1995.

Eduard Selami

Kryetari i dytë i kësaj force politike do të krijonte një përplasje të fortë brenda partisë duke humbur votëbesimin.

I treti që do të pasonte kryesimin e PD-së pas Selamit ishte Tritan Shehu.

Më 4 prill të vitit 1996 do të mbaheshin punimet e Kuvendit të Tretë të Partisë Demokratike.

Kuvendi do të zgjidhte Shehun në garën me Ferdinand Xhaferrin.

Kryetari i tretë i PD-së do udhëhiqte alternativën demokrate në zgjedhjet parlamentare dhe lokale të vitit 1996 dhe parlamentaret e vitit 1997.

Tritan Shehu

Më 20-21 tetor të vitit 1997 u mbajt Kuvendi i Katërt i Partisë Demokratike.

Kujtojmë që në këtë kohë kishin shpërthyer trazirat në vend dhe PD-ja gjendej në një nga situatat më të vështira që nga themelimi.

Sali Berisha do të zgjidhej sërish si kryetar i PD-së, në një garë me ish-kryeparlamentarin Pjetër Arbnori.

Këtë post ish-kryeministri e mbajti deri në zgjedhjet e 23 qershorit 2013.

Basha

Humbja e zgjedhjeve të përgjithshme në vitin 2013, do të sillte edhe rrokadën e kryesimit të partisë me largimin e Sali Berishës.

Basha do të zgjidhej me një koncept të ri për strukturat e kohës dhe jo vetëm – një anëtar një votë.

Me 80% të votave karshi kandidatit tjetër Sokol Olldashi, Basha do të fitonte kreun e partisë.

Me daljen e kryedemokratit nga skena, selia blu pritet të hyjë në një fazë të re ringritjeje ose rindërtimi.

Për zgjedhjen e kryetarit të ri, mund të na duhet të presim pas zgjedhjeve lokale të vitit 2023.

Kjo, sipas deklaratës së kryetarit provizor të PD-së, Enkelejd Alibeaj.

Se si do të jetë PD-ja e se ardhmes kjo… mbetet për t’u parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore