Kosova

Kroacia i dhuron Kosovës 20 mijë vaksina


ilustrim

Kroacia ka ndarë 20 mijë vaksina Kosovës.

Këtë e ka bërë të ditur Kryeministri i Kroacisë Andrej Pllenkoviq, në seancën qeveritare gjatë ditës së enjte.

Kryeministri kroat të njëjtën shifër dozash do ta ndajë edhe për Malin e Zi, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Kirgistanin, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina do të pranoj 210 mijë vaksina anti COVID.

Arsyeja e donacionit në fjalë sipas Pllenkoviç është se Kroacia tashmë ka një numër të madhe të dozave të pashpenzuara.

“Pandemia mori rreth 3.9 milion jetë në të gjithë botën, është më mirë të përdorësh dozat e vaksinave sesa t’i ruash ato”, ka thënë Pllenkoviç, raporton televizioni shtetëror kroat, HRT.

Kroacia i ka dhuruar më herët Kosovës edhe 10,000 vaksina, të cilat janë dorëzuar në muajin qershor.

Kosova ka nisur fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit në fund të marsit, ndërsa më 15 qershor ka nisur vaksinimi masiv i qytetarëve.

Imunizimi, deri më tash, është bërë me vaksina të dhuruara nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Bashkimi Evropian dhe shtetet individuale.

Këtë javë, në Kosovë kanë nisur të arrijnë edhe kontingjentet e para të vaksinës Pfizer/BioNTech, të parapara me kontratën që ka nënshkruar Qeveria e Kosovës me kompaninë farmaceutike amerikane Pfizer.

Ndërsa deri më tash, në Kosovë janë imunizuar mbi 189 mijë persona.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore