Shqipëria

“Kriza energjetike zgjidhet me energji të rinovueshme”


Institucionet më të larta të Evropës, si Këshilli i Evropës, Parlamenti Evropian etj., nëpër konferenca ndërkombëtare, gjithnjë e më shumë po fokusohen sesi sektori i energjisë mund të japë një kontribut vendimtar në reduktimin e emetimeve të gazeve serrë në BE me të paktën 55% deri në vitin 2030.

Ndërkohë që Ballkani po përballet me krizë energjike, duke u bërë shkak edhe për protesta në shumë vende si Kosova, eksperti kosovar i energjisë, Lulzim Sytha, në një prononcim për Albanian Post thotë që vendet tona kanë kapacitet të “jashtëzakonshëm” të energjisë së ripërtërirë.

“Për sa i përket energjisë së ripërtëritshme, si Kosova dhe Shqipëria kanë potencial të jashtëzakonshëm për të shfrytëzuar edhe burimet nga energjia e diellit, edhe nga energjia e ujit”.

Nga ana tjetër, ambientalisti Sazan Guri thotë për AP-në që Shqipëria i plotëson “99% të nevojave të saj me energji të rinovueshme, kryesisht me hidrocentrale, dhe vetëm 1% me energji fosile”.

Energjia hidro

Por, profesor Guri mendon që energjia e gjelbër, sidomos në Shqipëri, nuk është aq e gjelbër sa reklamohet.

Sipas tij, dëmi natyror për të ndërtuar një hidrocentral, është shumë i madh.

“Në rastin e ndërtimit të Hidrocentraleve (HEC), duket si energji e gjelbër, por në fakt dëmtohen parametrat jetësorë të banorit. Kjo, duke nisur nga veprat arkeologjike, uji i pijshëm dhe uji bujqësor”.

Gjithashtu, shton ai, për të ndërtuar një HEC duhet marrë 98% e rrjedhës së lumit dhe vetëm 2% u lihet banorëve për nevojat e tyre.

Ky përqindësh, shpjegoi ai, “i cili teorikisht apo ligjërisht duhet lënë” është i pamjaftueshëm dhe nuk ka efekt.

“Koeficienti i marrjes, 98% është jashtëzakonisht tronditës. Por ka raste që as ai 2% nuk lihet në shtrat. Prandaj them që kjo energji, që sigurohet nga hidrocentralet, nuk është green (jeshile), por më e zezë se qymyri apo nafta”.

Në krahun tjetër, eksperti Sytha thotë që ndërtimi i hidrocentraleve nuk përbën problematikë për mjedisin.

Sipas tij, në kuadër të investimeve dhe të kostove që krijohen nga një projekt i tillë, “parashikohen të mbulohen dhe shpenzimet në mbrojtjen e habitatit, në zhvendosjen e pjesës së tokës apo problemeve të tjera natyrore”.

“Prandaj, të ardhurat dhe taksat që dalin nga këto biznese duhet të trajtoheshin për ritrajtimin e natyrës aty ku është dëmtuar”.

Energjia diellore

Pika, ku bien dakord eksperti i energjisë Sytha dhe ambientalisti Guri është tek energjia diellore. Të dy ekspertët pretendojnë që përftimi i energjisë elektrike, me anë të kësaj metode, nuk është e dëmshme për mjedisin, përkundrazi, në të mirë të tij.

“Kosova dhe Shqipëria kanë mbi 1 milion metra katrorë objekte që mund të shfrytëzohen për prodhimin e energjisë diellore. Por, përveç këtij kapaciteti, janë edhe mbi 100 mijë shtëpi, si në Kosovë, edhe në Shqipëri, me një kapacitet prej 100-200 MW që mund të përdoren për përftimin e energjisë solare”, thotë Sytha për Albanian Post.

Guri, në kundërshtim me ekspertin e energjisë, thotë që duhen bërë llogaritjet nëse është më me leverdi vendosja e paneleve diellore apo mbjellja e tokës.

“Nëse duam të prodhojmë shumë energji, do të duhet të blejmë një tokë dhe ta mbushim me panele diellore. Por nëse toka është tokë buke, atëherë ka shumë raste që më shumë fiton po u mboll me grurë, sesa fiton me energjinë diellore. Atëherë, kjo nuk mund të quhet energji e gjelbër”.

Rezultati do të ishte ndryshe po të ishte tokë e lënë djerrë, tha profesori. Në këtë rast, mënyra e prodhimit të energjisë do të ishte fitimprurëse dhe e gjelbër.

Albanian Post kontaktoi dhe me Olsi Idrizin, inxhinier pranë një kompanie, e cila operon në sektorin e shërbimeve dhe shpërndarjes së materialeve hidraulike, sistemeve solare dhe sistemeve ngrohje-ftohje.

Ai tha se problem nuk është toka e bukës, apo ajo e lënë djerr. Sipas tij, problem janë çmimet.

Idrizi thotë që çmimet e larta të energjisë elektrike ndikojnë në koston e lartë të importit të pasqyrave diellore. Në këtë mënyrë, shtoi inxhinieri, klienti nuk ka mundësi t’i blejë.

“Me rritjen e numrit të hidrocentraleve në Shqipëri, çmimi i korrentit ka ardhur duke u rritur, në vend që të bjerë. Kjo ndikon negativisht te kostoja e importeve të pasqyrave diellore dhe te xhepi i konsumatorit”.

Sipas Gurit, e vetmja gjë që duhet ndryshuar për ta sjellë energjinë solare më afër qytetarëve të thjeshtë janë politikat ndaj saj.

Një e mirë tjetër që përftohet nga energjia solare është evitimi i “burokracive që kanë zyrat e rregullatorëve të energjisë”, thotë Sytha.

Ky i fundit, është i bindur që, një nga mënyrat që Kosova të dalë nga kriza energjetike është pikërisht energjia solare.

“Kosova mund të mbulojë deri në 25% të nevojave për energji nëse përdoren kapacitetet e energjisë hidro, apo ato solare”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore