Lajme

Kriza energjetike, Libani i merr gaz Egjiptit


Ministrat e Energjisë së Libanit, Egjiptit, Jordanisë dhe Sirisë

Gazi natyror egjiptian do të dërgohet në Liban nëpërmjet Jordanisë dhe Sirisë, për të ndihmuar kështu në rritjen e prodhimit të energjisë elektrike.

Kjo, sipas një plani të rënë dakord nga qeveria e Egjiptit, Libanit, Jordanisë dhe Sirisë.

Plani, për të cilin një ministër egjiptian tha se “do të zbatohej sa më shpejt të jetë e mundur”, mbështetet dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), për të adresuar mungesat e energjisë në Liban.

Sipas tij, do të përdoret gazi egjiptian, që do të merret përmes një tubacioni arab të krijuar rreth 20 vjet më parë.

Jeta në Liban është paralizuar nga kriza që është thelluar, ndërsa furnizimet me karburant të importuar janë dobësuar.

Kjo është pjesë e një krize më të gjerë financiare, e cila ka zhytur monedhën libaneze me 90 për qind që nga viti 2019, shkruan “English Aawsat”.

Plani është i ndërlikuar me sanksionet amerikane ndaj qeverisë siriane të presidentit Bashar al-Assad. Zyrtarët libanezë i kanë bërë thirrje Washington-it të bëjë një përjashtim.

Plani u miratua nga ministrat që vinin nga katër vendet, si: Libani, Jordania, Siria dhe Egjipti.

“Ne kemi vendosur një udhërrëfyes me ministrat, në mënyrë që brenda javëve të ardhshme të sigurohemi që gjithçka është gati”, tha ministri i naftës i Egjiptit, Tarek El Molla.

“Pas këtij rishikimi”, vijoi ai, “do të fillojmë të pompojmë gaz në rastin më të parë”.

Ndërkaq, ministri libanez i Energjisë, Raymond Ghajar, ka theksuar se Libani po punon në drejtim të furnizimit me gaz.

“Libani shpreson të marrë gaz të mjaftueshëm për të gjeneruar 450 megavat fuqi (MW) në një termocentral në veri të vendit dhe po punon me Bankën Botërore për të siguruar financime”.

Sa i përket të ardhmes, “ekziston mundësia e importimit të energjisë elektrike nga Jordania, edhe përmes Sirisë, pas riparimeve në zonat e dëmtuara nga lufta”.

Në anën tjetër, pro kësaj iniciative, ka dalë edhe shteti sirian.

“Siria do të bëjë çdo përpjekje që plani të ketë sukses”, tha ministri sirian i naftës, Bassam Tohme.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se janë në bisedime me Egjiptin, Jordaninë dhe Bankën Botërore për të ndihmuar në gjetjen e zgjidhjeve të krizës.

Hezbollahu libanez, i mbështetur nga Irani, i caktuar një grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara, ka njoftuar se do të sjellë naftë nga Irani për të lehtësuar krizën.

Gjatë muajit të kaluar, presidenca libaneze kishte thënë se Washington-i kishte vendosur të ndihmonte me një plan, sipas të cilit të siguronte gaz egjiptian në Jordani.

Kjo për prodhimin e energjisë elektrike, që nëpërmjet Sirisë do të transmetohej në Liban, si dhe për të lehtësuar transferimin e gazit natyror në këtë shtet.

SHBA kanë vendosur sanksione të ashpra ndaj qeverisë siriane.

Në një vizitë në Bejrut javën e kaluar, senatori amerikan Chris Van Hollen kishte thënë për Reuters se pavarësisht sanksioneve “po shiheshin mënyra për të zgjidhur çështjen”.

Kompania shtetërore e Libanit e energjisë po gjeneron sasi minimale të energjisë, duke i lënë bizneset dhe familjet pothuajse plotësisht të varura nga prodhuesit e vegjël, në pronësi private.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore