Kosova

Kriteri prej 20% u vlerësua “vështirë i arritshëm” nga pushteti, por nënshkrimet u mblodhën “brenda ditës” në veri


Ilustrim

Në bazë të një raporti të miratuar në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës në fund të vitit të klauar, ku flitej për mekanizmat e demokracisë lokale, ekzekutivi kosovar e konsideroi “vështirë të arritshëm” përmbushjen e kritereve për largimin e kryetarëve shqiptarë të katër komunave në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe përmes peticionit të qytetarëve serbë.

Kërkesa për largimin e kryetarëve shqiptarë dhe organizimi i zgjedhjeve të reja, në bazë të udhëzimit administrativ të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), duhej të nënshkruhej nga njëzet (20) për qind e votuesve të regjistruar, porse në raportin e ekzekutivit kosovar, përmbushja e këtij kriteri u vlerësua “vështirë i arritshëm” për dy arsye kryesore.

“E para, nisma për largim kërkon një kuotë prej 20 për qind të votuesve të regjistruar e që është mjaft sfiduese për t’u arritur. Ndërsa e dyta, procedura e votimit për largim kërkon aprovimin e shumicës së votuesve të regjistruar e cila është e paarritshme dhe mund të bazohet referuar numrit të votuesve që kanë votuar në zgjedhjet lokale”, thuhej në dokument.

Aty ndër të tjera u evidentua se deri në publikimin e raportit nuk ka pasur të dhëna në lidhje me fillimin e ndonjë iniciative për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në katër komunat veriore bazuar në udhëzimin zdministrativ të MAPL-së dhe për më tepër, vlerësohej e paqartë nëse baza ligjore mjafton për të vënë në funksion këtë mekanizëm të rëndësishëm.

“Mbetet për t’u shqyrtuar nëse një iniciativë e tillë për largimin e kryetarit, një funksion që zgjidhet me votim të drejtpërdrejtë, të mund të rregullohet tutje me një akt nënligjor, apo përmes një ligji të veçantë”, thuhej në raportin e publikuar në faqen zyrtare të Qeverisë së Kosovës për peticionin e qytarëve në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Në bazë të raportimeve, nga komunat veriore është thënë se janë mbledhur “numër i mjaftueshëm” i nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë – Erden Atiq, Lulzim Hetemi, Ilir Peci dhe Izmir Zeqiri – ndonëse grupet nismëtare nuk kanë specifikuar se sa qytetarë kanë nënshkruar, duke thënë se janë mbledhur më shumë nënshkrime sesa kërkohet.

Para nisjes së mbledhjes së nënshkrimeve, punonjësit e institucioneve paralele të Serbisë në Kosovë morën një mesazh, ku u kërkohej t’i përgjigjen procesit. Në krye të këtyre institucioneve janë kryesisht njerëz nga Lista Serbe – forca më e madhe politike e serbëve në Kosovë – që bojkotuan zgjedhjet e prillit 2023 dhe u larguan nga institucionet e Kosovës.

E në bazë të përllogaritjeve, numri i përgjithshëm i qytetarëve që është dashur ta nënshkruajnë peticionin në komunën e Mitrovicës së Veriut është rreth 3 mijë e 640, kurse në komunën e Leposaviqit, peticionin është dashur ta nënshkruajnë rreth 2 mijë e 689 qytetarë, në mënyrë që të përmbushet kriteri prej 20 për qind të trupit elektoral në komunat përkatëse.

Kjo masë është e njëjtë edhe për komunën e Zveçanit dhe Zubin Potokut. Në komunën e Zveçanit janë të regjistruar 9 mijë e 229 votues, ndërsa rreth 1 mijë e 846 qytetarë përbëjnë 20 për qind të trupit elektoral. Në komunën e Zubin Potokut, numri i qytetarëve me të drejtë vote është 6 mijë e 732. Rreth 1 mijë e 347 përmbushin kriterin prej 20 për qind të elektoratit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pranoi të enjten peticionet për shkarkimin e kryetarëve në veri. Pas pranimit të nënshkrimeve, nga konstatimi që është përmbushur kriteri i nevojshëm prej 20 për qind, brenda 45 ditëve duhet të organizohet procesi zgjedhor, ku qytetarët mund të votojnë nëse duan të shkarkojnë kryetarin e komunës respektive apo jo.

“Ne kemi pranuar peticionet nga katër komunat veriore dhe në bazë të legjislacionit në fuqi, do të verifikohet lista e nënshkrimeve. Për shkak të numrit të madh të nënshkrimeve, duhet kohë për t’i verifikuar”, deklaroi kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, në mbledhjen e së enjtes, derisa shtoi se verifikimi i nënshkrimeve të peticionit do të bëhet ditëve në vijim.

Një ndër kushtet e Bashkimit Evropian (BE) për largimin e masave ndaj Kosovës të vendosura në qershor 2023 për shkak të përshkallëzimit të situatës në vend është shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe organizimi në mënyrë gjithëpërfshirëse në të gjitha katër komunat serbe në veri, kurse nga serbët kërkohet që të marrin pjesë pa kushte.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore