Lajme

Krimi kibernetik – Europol shkatërron shërbimin VPNLab


Agjencia e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Zbatimin e Ligjit (Europol) ka bërë me dije se ka goditur një rast të krimit kibernetik.

Gjatë një operacioni ndërkombëtar të zbatimit të ligjit janë sekuestruar serverët e VPNLab.net – ofrues virtual i rrjetit privat.

Për më tepër u shërbente grupeve të ndryshme të krimit kibernetik, duke përfshirë bandat e ransomware (është si një lloj sëmundje, e cila i kërcënon përdoruesit se do t’u publikojë të dhënat personale ose të bllokojë aksesin në to nëse nuk paguhet një shpërblim).

Europol tha se sekuestroi 15 serverë të operuar nga ekipi VPNLab në Gjermani, Holandë, Kanada, Republikën Çeke, Francë, Hungari, Letoni, Ukrainë, SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Nuk pati njoftim për asnjë person të arrestuar.

Megjithatë shërbimet e kompanisë u bënë jofunksionale dhe në faqen kryesore të saj tani shfaqet një baner konfiskimi i Europol-it.

“Veprimet e kryera në kuadër të këtij operacioni e bëjnë të qartë se kriminelëve po u mbarojnë mënyrat për të fshehur gjurmët e tyre në internet”, tha Edvardas Šileris, shefi i Qendrës Evropiane për Krimet Kibernetike të Europolit.

Çfarë është VPNLab?

Shërbimi VPNLab ekzistonte që në vitin 2008.

Ai ishte ndërtuar rreth teknologjisë OpenVPN, përdorte enkriptim 2048-bit dhe një rrjet shërbimesh për të kriptuar dhe anonimizuar lidhjet për klientët e tij, të gjitha për vetëm 60 dollarë në vit.

Europol tha se shërbimi kryesisht reklamohej në “nëntokën kriminale” si një mënyrë për grupet e krimit kibernetik për t’u lidhur me infrastrukturën e tyre, pa zbuluar detajet e lidhjes së tyre në shtëpi.

Heqja e VPNLab shënon herën e dytë që zbatimi i ligjit ka lëvizur kundër një ofruesi VPN për grupet kriminale, pasi Europol dhe policia holandeze rrëzuan DoubleVPN në qershor të vitit të kaluar.

Europol tha se, si rezultat i kësaj heqjeje, me të dhënat e gjetura në serverë, ata ishin në gjendje të njoftonin më shumë se 100 biznese për sulme kibernetike të afërt.

“Zbatimi i ligjit po punon drejtpërdrejt me këto viktima të mundshme për të zbutur ekspozimin e tyre”, tha Europol.

Marrë nga “The Record”, përshtatur për Albanian Post!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore