Kosova

Krasniqi: E vërteta për UÇK-në s’mund të deformohet kurrë


Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi dhe babai i ish-Presidentit, Hashim Thaçit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka vizituar familjen e ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe familjen e ish-Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ku ka thënë se në këto familje është formësuar përpjekja për liri dhe pavarësi të Kosovës.

Ai tutje ka thënë se në Burojë të Skenderajt dhe në Bair të Mitrovicës gjithmonë ka frymëzim për të “mos u dorëzuar përballë sfidave për ta çuar Kosovën përpara”.

“Malli e dëshira për kthimin e bijve të tyre është e madhe, por më e madhe është mburrja e krenaria që kanë për ta. Sepse këto familje kanë rritur djem çlirimtarë, që mision jetësor e kanë pasur dhe e kanë Kosovën e lirë dhe të zhvilluar”, thuhet në postimin e tij.

Krasniqi ka thënë se e vërteta për luftën e pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është e patjetërsueshme dhe si e tillë nuk mund të deformohet kurrë.

“Fitorja e betejës së fundit të Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe bashkëluftëtarëve të tyre për ta dëshmuar pastërtinë e kësaj lufte do të jetë vulë e historisë së lavdishme të vendit tonë”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e tij në Facebook.

Vizita e kryetarit të PDK-së është realizuar pas një-vjetorit të shkuarjes së ish-liderëve të UÇK-së në Hagë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore