Shqipëria

Kraja nuk komenton deklaratat e Ramës: Ne vazhdojmë punën tonë


Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Arben Kraja, në një deklaratë për mediat pas seancës dëgjimore me Këshillin e Lartë të Prokurorisë theksoi se nuk ka asnjë koment për sa u përket kritikave të kryeministrit Edi Rama ndaj sistemit gjyqësor, veçanërisht SPAK-ut.

Numri një i qeverisë tha se SPAK jo vetëm që nuk ka ndërmarrë hapa të duhur të hetimit të profileve të larta shtetërore, por i ka ndërmarrë ato për persona, të cilët janë të vlerësuar edhe ndërkombëtarisht.

“Unë po punoj normalisht me gjithë prokurorët dhe hetuesit. SPAK ka në hetim shumë çështje penale. Në çdo moment që kemi për të bërë publike diçka, i bëjmë”, theksoi Kraja.

Më herët gjatë seancës dëgjimore me Këshillin, ai tha se “Prokuroria e Posaçme ka konsoliduar gjatë vitit 2021 Qendrën e Përgjimeve”.

Kraja tha se institucioni që drejton, ka punuar edhe për aksesin në të dhënat elektronike.

Për herë të parë, më datë 20 dhjetor të vitit 2019, SPAK autorizoi vendosjen në interceptim të disa pajisjeve fundore.

Arben Kraja

Në të njëjtën periudhë, Gjykata e Posaçme firmosi 943 leje për përgjime dhe pranoi të interceptohen rreth 1 mijë e 175 subjekte përgjimi.

Në fillim të vitit 2021, SPAK do të merrte në dorëzim sistemin e përgjimit, duke e zhvendosur dhe duke e integruar në sistemin e përgjimit që është transferuar pranë zyrave të njësisë antikorrupsion dhe kundër krimit të organizuar ku ishte ngritur Qendra e Përgjimeve.

Akuzat ndaj SPAK-ut, kryeministri Rama i nisi më 7 maj, kur fillimisht iu referua rastit të Ardian Dvoranit, i cili është kallëzuar më parë nga presidenti Ilir Meta në SPAK, por çështja më pas u pushua nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).

Gjithçka, sipas Ramës, lidhet me reformën në Drejtësi dhe rëndësinë e saj. Madje, ky është edhe kushti kryesor për integrimin në Bashkimin Evropian dhe do të jetë ndër pikat e para të diskutimeve, kur negociatat të nisin zyrtarisht.

Mirëpo, rezervat për SPAK-un, kreu i Qeverisë nuk i kurseu, duke folur në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste.

Nga ana tjetër, persona të shpallur si të padëshiruar nga SHBA-të, “janë në mes të sheshit”.

Këtu ai nuk i referohet vetëm rastit të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili është përcaktuar si non grata nga Departamenti i Shtetit, por edhe presidentit Meta, për të cilin Rama mendon se “është non grata i parë”, edhe pse jo i shpallur zyrtarisht.

Hetimin e Dvoranit ndërkaq, mbi kërkesë të Metës, ai e ka quajtur një “turp” për SPAK-un.

Mbi të gjitha, në çastin kur nuk janë marrë hapa konkretë, për të hetuar një ish-kryeministër, i cili përcaktohet si i padëshiruar nga SHBA-të.

“Zgjohuni zonja dhe zotërinj të SPAK-ut”, deklaroi Rama.

Pas deklaratës së kryeministrit ka pasur reagim nga ish-kryetari i PD-së, Sali Berisha, dhe nga Presidenca.

“Porta e Prokurorisë se Posaçme i duket si porta e ferrit, punonjësit e personeli i kësaj prokurorie përfshi këtu edhe portierin i duken si gardian të Luciferit, sallat e mbledhjeve i duken qeli të zeza”, shkruante Berisha.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore