Shqipëria

SPAK konsolidoi Qendrën e Përgjimeve në vitin 2021, thotë Kraja


“Prokuroria e Posaçme ka konsoliduar gjatë vitit 2021 Qendrën e Përgjimeve”, deklaroi kreu i SPAK-ut, Arben Kraja, në seancën dëgjimore me Këshillin e Lartë të Prokurorisë, të enjten e 12 majit.

Aty Kraja po prezanton raportin për veprimtarinë e Prokurorisë së Posaçme gjatë vitit 2021.

Gjatë raportimit të tij, ai ka deklaruar se SPAK ka blerë pajisje për laboratorin e ekzaminimeve.

Kjo, me fondet e Agjencisë së Pronave të Sekuestruara dhe Konfiskuara.

Ndër të tjera, Kraja tha se institucioni që drejton, ka punuar edhe për aksesin në të dhënat elektronike.

Për herë të parë, më datë 20 dhjetor të vitit 2019, SPAK autorizoi vendosjen në interceptim të disa pajisjeve fundore.

Në të njëjtën periudhë, Gjykata e Posaçme firmosi 943 leje për përgjime dhe pranoi të interceptohen rreth 1 mijë e 175 subjekte përgjimi.

Kjo veprimtari solli ndalimin e 171 shtetasve, ndërkohë që rezulton se nga përgjimet u prodhuan 2 mijë e 576 cd dhe 7 mijë e 480 dvd për t’u zbardhur.

Në fillim të vitit 2021, SPAK do të merrte në dorëzim sistemin e përgjimit, duke e zhvendosur dhe duke e integruar në sistemin e përgjimit që është transferuar pranë zyrave të njësisë antikorrupsion dhe kundër krimit të organizuar ku ishte ngritur Qendra e Përgjimeve.

Përgjatë vitit 2021, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përdorur metodën e përgjimit për 129 procedime penale.

Për to janë interceptuar 1 mijë e 500 subjekte, ku përfshihen autorë të dyshuar dhe persona që kanë pasur dijeni për vepra të ndryshme. Nga ana tjetër, kanë qenë 1 mijë e 957 persona nën përgjim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore