Lajme

KQZ: Todosijeviç e humbi mandatin në Zveçan


Ivan Todosijeviç

Komisioni Qendror Zgjedhor, në mbledhjen e tij të radhës ka vendosur që të zëvendësojë kandidatin e Listës Serbe, Ivan Todosijeviç i certifikuar si asamblist i zgjedhur për kuvendin komunal të Zveçanit me kandidatin tjetër nga Lista Serbe, Marko Stefanoviç, për arsyen se ky i pari është i dënuar për vepër penale.

“Këshilli për çështje ligjore ka rekomanduar në KQZ që të zëvendësohet Ivan Todosijeviqi, pasi ai ka një aktgjykim të prerë, nga 24 qershori i këtij viti, disa muaj para zgjedhjeve. Neni 29 i ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, pika Q, specifikon se kandidat nuk mund të jetë një person i cili është i dënuar me vendim të formës së prerë për vepër penale gjatë tri viteve të fundit”, thuhet në njoftim

Në muajin gusht, Gjykata e Apelit në Kosovë kishte konfirmuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, sipas të cilit deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lista Serbe, Ivan Todosijeviç, ishte dënuar me dy vjet burgim në nën akuzat për nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik.

Kreshnik Radoniqi, Kryetari i KQZ-së

Ndryshe KQZ, gjatë ditës së martë ka certifikuar rezultatet përfundimtare të balotazhit për Kryetarë të Komunave me përjashtim të Komunës së Prizrenit, Kllokotit dhe Dragashit.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka bërë të ditur se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa është duke i trajtuar ende çështjet e Prizrenit dhe Kllokotit, ndërsa në Gjykatën Supreme është duke u trajtuar çështja e Dragashit.

Rezultatet e certifikuara u takojnë këtyre 18 komunave: Gjakovë, Gllogoc (Drenas), Gjilan, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Obiliq, Rahovec, Podujevë, Prishtinë, Shtime, Viti, Vushtrri, Malishevë, Junik dhe Mamushë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore