Lajme

KQZ-ja: Vendosja e kamerave në vendvotim vlen për të gjitha proceset e ardhshme zgjedhore


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Komisioni Qendror Zgjedhor i Kosovës (KQZ), ka deklaruar të enjten se plani i saj për vendosjen e kamerave vëzhguese në vendvotime për zëvendësimin e kryetarëve shqiptarë në komunat me shumicë serbe në Veri s’do të vlej vetëm për këto zgjedhje, por për “të gjitha proceset e ardhshme zgjedhore në Kosovë”.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, tha se kjo bëhet me qëllim të sigurisë së materialeve zgjedhore.

“Vendosja e kamerave vëzhguese në hapësirat brenda vendvotimit bëhet me qëllim të garantimit të sigurisë së materialeve zgjedhore dhe ruajtjes së integritetit të procesit të votimit dhe numërimit në vendvotim”, tha ai.

Sipas vlerësimeve që kanë bërë Elezi potencoi se janë evidentuar “parregullsi”, të cilat sipas tij kanë ndikuar në integritetin, koston dhe besimin e publikut në zgjedhje.

“Në proceset zgjedhore 2009-2021 mesatarisht janë rinumëruar 36% e vendvotimeve dhe kjo ka ndikuar në rritjen e kostos së zgjedhjeve dhe rënien e besimit të akterëve në administrimin e procesit zgjedhor”.

Teksa, u zotua se do të ruhet fshehtësia e plotë e votës.

Duke shtuar se, “ruajtja e regjistrimeve të kamerave do të jetë e përkohshme, deri në shkatërrimin e materialit zgjedhor, 60 ditë pas certifikimit të rezultateve”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në mbledhjen e së martës përveç se ka njoftuar anëtarët për dorëheqjen e katër përfaqësuesve të subjektit politik Lista Serbe nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve për komunat veriore ka kërkuar që dy subjektet politike të zëvendësojnë anëtarët e dorëhequr.

Katër kryetarët shqiptarë të komunave veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – mund të shkarkohen nga detyra nëse 50 për qind, plus 1 votues, voton për largimin e tyre më 21 prill.

Në bazë të të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në Veri janë 46 mijë e 248 votues.

Nëse edhe kjo fazë kalon suksesshëm, atëherë organizohen zgjedhjet për kryetarë të rinj.

Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Një ndër kriteret e përcaktuara nga Bashkimi Evropian (BE) për largimin e sanksioneve ndaj Kosovës të vendosura në qershor për shkak të përshkallëzimit të situatës është shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe organizimi në mënyrë gjithëpërfshirëse në të gjitha katër komunat serbe në veri, kurse nga serbët kërkohet që të marrin pjesë pa kushte.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore