Lajme

KQZ-ja shkatërron materialin e zgjedhjeve të 23 prillit në Veri


Foto: Albanian Post.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që ta shkatërroj materialin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Po ashtu edhe të materialit të zgjedhjeve të parakohshme për kuvendet komunale të Zveçanit dhe Leposaviqit.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Asgjësimi apo shkatërrimi i materialit zgjedhor, është detyrim ligjor për KQZ-në. Sipas vendimit të KQZ-së, pjesë të materialit që do të shkatërrohet janë fletëvotimet, formularët e rezultateve, listat e votuesve dhe materiale të tjera, që i takojnë zgjedhjeve të 23 prillit”, tha Elezi për AP.

Pas mbajtjes së zgjedhjeve në Veri të Kosovës, situata ishte përkeqësuar pasi serbët lokalë në komunat në veri të Kosovës – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë, me asistimin e Policisë së Kosovës, në ndërtesat komunale.

BE-ja kishte vendosur masa ndaj Kosovës në fund të qershorit, pas përkeqësimit të situatës në Veri të Kosovës dhe mos-gatishmërisë së Qeverisë për të shtensionuar situatën në këtë pjesë të vendit sipas kërkesave të Unioni.

Pas trazirave që ndodhen ku u lënduan pjestarë të KFOR-it, të Policisë dhe gazetarë, Bashkimi Evropian ka propozuar një plan tre-pikësh.

I cili parasheh tërheqjen e njësive elitare të Policisë së Kosovës nga afërsia e ndërtesave komunale në Veri, tërheqjen e kryetarëve të rinj shqiptarë nga ndërtesat komunale, shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme atje dhe garancën e serbëve lokalë se do të marrin pjesë në zgjedhje.

Kosova dhe Serbia kanë dhënë dakordimin e tyre për Aneksin Zbatues të Planit Evropian për rrugën drejt normalizimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore