Lajme

Kovaçevski për “propozimin francez”: Është në përputhje të plotë me Rezolutën e Kuvendit


Kryeministri i Maqedonisë Veriore, Dimitar Kovaçevski, gjatë një konferencë të përbashkët me kryetarin e Këshillit Evropian Charles Michel, tha se “propozimi francez” është baza e çështjes jashtëzakonisht të rëndësishme të progresit dhe sigurimit të asaj që kemi pritur për 17 vjet, shkruan Alsat.

“Ky propozim është baza e çështjes jashtëzakonisht të rëndësishme të progresit dhe sigurimit të asaj që kemi pritur për 17 vjet, pas marrjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Propozimi është në përputhje të plotë me Rezolutën e Kuvendit për qëndrimet shtetërore në kontestin me Bullgarinë, gjë që tregon se qeveria, unë si kryeministër dhe institucionet kompetente përfaqësojmë me përgjegjësi interesat e shtetit jashtë dhe brenda”, tha ai.

Ndërsa kryetari i Këshillit të Evropës, Charles Michel, theksoi se “personalisht kam besim se kjo është një zgjidhje e balancuar që adreson shqetësimet tuaja dhe qëllimi është i qartë, të fillojmë negociatat e anëtarësimit dhe të ecim përfundimisht drejt ndërtimit të së ardhmes sonë të përbashkët në BE”.

“Nëse thoni po, konferenca e parë ndërqeveritare do të organizohet në ditët në vijim”, tha Michel.

Të hënën, nën moton “Ultimatum – Jo faleminderit” para Qeverisë së Maqedonisë Veriore në Shkup për të tretën ditë radhazi pati protesta kundër pranimit të “propozimit francez” për heqjen e vetos bullgare dhe fillimin e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë në BE.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut ndodhet para vendimit për pranimin ose jo të propozimit të modifikuar francez, propozim ky që do të ndihmonte në heqjen e vetos bullgare dhe zhbllokimin e rrugës eurointegruese të Maqedonisë së Veriut.

Presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski, e konsideroi propozimin e modifikuar francez, i cili ka mbërritur në Shkup, shumë më të mirë se propozimi paraprak.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore