Lajme

Kosovë: VV e kënaqur me procesin e vaksinimit, PDK kritikon për mosorganizim


Komisioni për Shëndetësi e ka vizituar Qendrën e Vaksinimit në sallën “1 Tetori”, në Prishtinë, ku disa nga deputetët janë ndarë të kënaqur me mbarëvajtjen e procesit të vaksinimit, ndërsa të tjerët patën kritika për mos organizim nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeveria.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha – Kollçaku, është shprehur e kënaqur me procesin e vaksinimit në këtë qendër.

“Ishte një vizitë e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi në sallën “1 Tetori”, në Prishtinë, ku donim të informohemi për së afërmi pasi edhe ka filluar vaksnimi masiv i popullatës. Ajo çfarë pamë është vërtetë të kosntatpojmë se çdo gjë po shkon në rregull”, ka thënë para mediave.

Sa i përket aksionit post vaksinale, ajo ka theksuar se përveç disa reaksioneve të lehta nuk ka pasur ndonjë komplikim që duhet të evidentohet si problem.

Në anën tjetër, deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka thënë në sallën “1 Tetori” kanë parë “më shumë staf mjekësorë sesa vaksina”.

“Pra në një aspekt i mos organizimit nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, angazhime i shumë vullnetarë e specializantëve që po punojnë pa kontratë, angazhimi i vullnetarëve, ekipeve të FSK-së pa asnjë mbështetje nga Ministria e Shëndetësisë”, është shprehur Haxhiu.

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu

Ai ka theksuar se ka prej stafit shëndetësor që punojnë tani e 2 muaj pa pushim, as të shtunën e të dielën dhe as nuk kanë marrë as mbështetje nga MSH-ja.

“Falënderim të veçantë të për stafin shëndetësor që po bëjnë përpjekje maksimale për të vaksinuar qytetarët mirëpo ka një mos organizim. Ka më shumë propagandë. Është premtuar vaksinim masiv por nuk është arritur të ketë më shumë se katër mijë vaksinime në ditë. Nuk mund te arrihet e të synohet vaksinimi i qytetarëve me këtë numër dhe me këto doza të vaksinave”, shtoi ai.

“Ne nuk morëm përgjigje saktë se edhe sa vaksina ka në dispozicion por nga ato shifra që janë shpenzuar kuptojmë që janë edhe 70 mijë doza e në anën tjetër pretendohet vaksinimi i 500 mijë qytetarëve në muaj kur nuk i ka as 100 mijë vaksina në depo”, potencoi Haxhiu.

Kurse Koordinatori i kësaj qendre, Niman Bardhi, ka thënë se gjithçka është duke shkuar mirë më procesin e vaksinimit, duke u bërë apel qytetarëve që të aplikojnë për t’u vaksinuar.

“Siç u potencua gjendja faktike është çdo gjë në vijën e duhur. Procesi i vaksinimit është duke vazhduar me qytetarët që kanë aplikuar në platformën E-Kosova. Shpresojmë që një proces i tillë të mos na stagnojë dhe me përkrahjen dhe mbështetjen që kemi nga të gjithë besoj që do ia dalim më së miri në procesin e vaksinimit të këtij vaksinimi në masë”, është shprehur Bardhi.

Sipas tij, në nivel vendi nga fillimi deri më tani janë vaksinuar 110 mijë persona kurse vetëm gjatë ditës së mërkurë janë vaksinuar mbi 400 persona, “që nivel vendi i bie që kemi mbi 4000 të vaksinuar. Procesi po shkon në të gjitha qendrat e vaksinimit shumë mirë”.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore