Lajme

Kosovë: Shoqëria civile kundër vendimit për mbulimin e sigurimit kufitar për diasporën


Organizatat e shoqërisë civile në Kosovë, kanë reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për heqjen e primit të sigurimit kufitar, për të cilët vendimi i Kryeministrit të vendit, Albin Kurti, cilësohet si i paarsyeshëm.

Ky shërbim është planifikuar të mbulohet nga qeveria për të huajt që vijnë në Kosovë deri në fund të vitit 2021.

“E kundërshtojmë një vendim të tillë duke e vlerësuar si të paarsyeshëm që buxheti i Kosovës i mbushur me para të taksapaguesve të varfër të shfrytëzohet për të mbuluar shpenzime private për automjete të personave privat. I kujtojmë Qeverisë që ky vendim është tendencë e qartë për keqpordorim të parasë publike përmes financimit nga buxheti i Republikës”, thuhet në reagimin publik të organizatave.

Sipas tyre, ky shpenzim në këtë formë është plotësisht i pa justifikueshëm.

“Kjo e promovon një model të pabarazisë sociale ku shteti ndërhyn për të subvencionuar pronarin e automjetit dhe mundëson një sjellje të qeverisë që përmes klientelizimit të të subvencionuarit t’i përfitojë atij mbështetjen politike. Ky vendim promovon një model jo të mirë të politikbërjes, pasi që hap horizonte për vendime të ngjashme të kësaj natyre në të ardhmen”, vijon reagimi.

Po ashtu, në reagimin e tyre thuhet se vendimi si i tillë promovon një model jo të mirë të politik bërjes, “pasi që hap horizonte për vendime të ngjashme të kësaj natyre në të ardhmen edhe nga qeveri pasardhëse”.

“Vendime të tilla janë në kundërshtim me modele zhvillimore ekonomike, marrë parasysh që përfitues janë kategori siç janë personat privatë dhe Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS), e cila ka një histori të gjatë të lidhjeve korruptive me familjarë të ish pushtetarëve të kaluar”.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet, ÇOHU, Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS), Lëvizja FOL  Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) dhe Rron Gjinovci në reagimin e tyre kanë theksuar se këtë vendim të Qeverisë e shohin si të pamatur dhe palogjikshëm në kontekstin social e politik në të cilin gjendet vendi.

“Pavarësisht fuqisë së madhe politike që i lejon për të marrë vendime të tilla, Qeveria duhet të tregohet e matur dhe serioze, duke i shmangur vendimet populiste dhe të ngutshme që e fusin shtetin e Kosovës në obligime që në këtë periudhë nuk do të duhej të ishin parësore, duke e marrë parasysh mirëqenien e ulët ekonomike në vend”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, Kabineti Qeveritar i Kosovës, në mbledhjen e së martës ka miratuar propozimin e Ministrit të Financave, Hekuran Murati, për mbulimin e plotë të obligimeve të Sigurimit Kufitar nga qeveria për gjithë bashkatdhetarët që janë subjekt i polices kufitare dhe vijnë në Kosovë deri në fund të vitit 2021.

“Brenda kësaj javë të lidhet marrëveshja dhe mbulimi të fillojë prej datës një korrik”, kishte thënë Murati.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore