Lajme

Kosovë: PDK emëron Faton Abdullahun zëdhënës të partisë


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi emëron Faton Abdullahun, zëdhënës të kësaj partie

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka njoftuar se e ka emëruar Faton Abdullahun, zëdhënës të kësaj partie.

Sipas Krasniqit, Abdullahu “i takon brezit të intelektualëve me traditë të thellë demokratike, i cili ka dhënë kontribut shoqëror e intelektual”.

“Sot emërova Faton Abdullahun, zëdhënës të PDK-së, i cili ka dhënë kontribut shoqëror e intelektual në disa rrafshe, duke shërbyer si një kritik objektiv e kompetent për zhvillimet socio politike në shoqërinë tonë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Po ashtu, Krasniqi ka theksuar se Abdullahu “ka dhënë një kontribut të çmuar në pikëpamje politike e tematike, ndërsa tani e tutje do jetë zë i PDK-së në qëndrimet tona publike”.

Faton Abdullahu ishte këshilltar i ish-kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, (ish-kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës).

Mirëpo, më 28 dhjetor 2020 Abdullahu kishte aderuar në PDK.

“Unë nuk kam trokitur në dyert e PDK-së, ato i kam gjetur të hapura. Ato janë të hapura më shumë se kurrë për të gjithë ata që dëshirojnë t’i bashkohen këtij projekti për ndryshimin e vendit”, pati thënë Abdullahu.

Partia opozitare – PDK, dy muaj më parë ka bërë edhe një ndryshim.

Më tre korrik të vitit 2021, Memli Krasniqi është zgjedhur kryetar i ri i PDK-së, me 469 vota pro, shtatë kundër dhe asnjë abstenim. Gjithsejtë kanë votuar 476 delegatë.

Pas votimit si kryetar, Krasniqi ka thënë se “gjatë rrugës për rikthimin e PDK-së aty ku e ka vendin, në udhëheqjen e shtetit, pa dyshim se do të kemi shumë sfida. Jam i sigurt që nuk do të jetë e lehtë, por unë e njoh shpirtin e vullnetit të partisë tonë dhe, duke u bazuar në këtë energji të pashtershme, jam i sigurt që do ia dalim”.

Krasniqi kishte premtuar edhe një kryesi të re, e cila do të përbëhet me ata që u rritën politikisht në PDK, por edhe të tjerë të jashtëm që ndajnë vizion të njëjtë.

“Një kryesi të re, jo vetëm me njerëz të ri, por me ata që janë rritur organikisht në PDK, me vajza e djem të PDK-së të gatshëm për të marrë përgjegjësi udhëheqëse”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore