Lajme

Kosovë: Në komunat me shumicë serbe mbi 500 raste aktive me COVID-19


Ilustrim.

Në komunat e Kosovës të banuara me shumicë serbe, janë regjistruar 33 raste të reja me Coronavirus, ndërsa numri i rasteve aktive në këto komuna është 508.

Kjo është bërë e ditur nga një raport i Shtabit të Krizës të Komunës së Mitrovicës së Veriut, të publikuar me nëntë dhjetor.

Në raportin e fundit nuk është raportuar për ndonjë viktimë nga sëmundja COVID-19.

Por, komunat me shumicë serbe nuk publikojnë rregullisht raporte lidhur me gjendjen epidemioogjike, ato publikohen çdo dy apo tri ditë.

Më shtatë dhjetor, në zonat e banuara me shumicë serbe ishin raportuar dy viktima dhe 42 raste të reja me COVID-19, raporton REL.

Foto: Ilustrim

Ndërsa, institucionet shëndetësore në komunat e banuara me shumicë serbe funksionojnë në kuadër të sistemit serb që financohet nga Beogradi.

Sa i përket situatës epidemiologjike në Kosovë, ditëve të fundit po raportohet për numër të ulët të rasteve të reja me COVID-19.

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, të mërkurën e tetë dhjetorit, ka raportuar për dhjetë raste të reja dhe 319 raste aktive me Coronavirus.

Nga e enjtja në Kosovë ka filluar edhe dhëniza e dozës së tretë dhe dozës përforcuese kundër këtij virusi.

Në Kosovë të drejtë vaksinimi kanë të gjithë personat mbi 12 vjeç.

Ata mund të zgjedhin një prej vaksinave që janë në përdorim në Kosovë: vaksinën e Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca.

Situata epidemiologjike në Kosovë është vlerësuar se është e qetë, për dallim nga rajoni dhe Evropa që aktualisht po përballen me një valë të re të infeksioneve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore