Shqipëria

Kosova s’iu përgjigj fare Ramës për ofertën e vaksinimit të mjekëve në Kukës – ambasadori Hasani i habitur me neglizhencën


Nait Hasani, Ambasadori i Kosovës në Shqipëri

Ministria e Shëndetësisë së Kosovës, ende nuk e ka përpiluar listën e punonjësve shëndetësorë që janë në vijën e parë të frontit me pandeminë COVID-19, për t’u vaksinuar në Shqipëri pas ftesës së kryeministrit shqiptar, Edi Rama.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar për Albanian Post, Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani, cili ka thënë se nuk i di arsyet pse ende nuk ka marrë përgjigje nga ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj.

“Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka premtuar vaksina për mjekët që janë në vijën e parë të frontit. Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë, ka kontaktuar me ministrinë tonë atje në mënyrë që mantelbardhët kosovarë të vaksinohen në Kukës, por ministria e jonë nuk iu ka përgjigje ende. Ne nuk kemi marrë ende asnjë përgjigje”, tha Hasani.

Madje të martën shumë mjekë, sipas Hasanit, janë kthyer mbrapshtë pasi ia kishin mësyrë Kukësit për t’u vaksinuar.

“Sot nuk kanë pranuar mjekët tanë në mënyrë vullnetare sepse kanë kërkuar listën, pasi nuk ka vaksinë për gjithë mjekët. Vaksina ka vetëm për ata që janë më të rrezikuar; që janë në vijën e parë të frontit”, shtoi Hasani.

Ndërkohë, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve Shëndetësor në Kosovë, Blerim Syla, potencoi për Albanian Post se nga Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, nuk kanë interes për të filluar vaksinimi.

“Unë kam dërguar kërkesë të ambasadori për me vu në kontakt me ata të Shqipërisë, pasi Ministria e jonë nuk po ka interes si dukët për këtë, nëse do të ishte koordinuar më neve për këtë temë”, sqaroi Syla.

Albanian Post ka tentuar të marrë një përgjigje për këtë çështje edhe nga MSH-ja në Kosovë, por këta të fundit nuk kanë kthyer përgjigje.

Pas mbërritjes së rreth 38 mijë vaksinave në Shqipëri nga kompania AstraZeneca, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në pamundësi për të dërguar një sasi të tyre në Kosovë, u ka bërë thirrje mjekëve të Kosovës të marrin vaksinën në Kukës – qytetin kufitar me Kosovën.

Pasi ka munguar organizimi grupor për t’u vaksinuar, disa mjekë, sic është gjinekologu Blerim Feka, kanë kaluar kufirin për t’u imunizuar kundër Coronavirusit në Kukës.

Pasi u regjistrua, ai mori vaksinën me kurën anti-COVID të “AstraZenecas”, për çka thotë se nuk hezitoi aspak.

“Shumë lehtë dhe afër. Më pritën përzemërsisht dhe ma bën vaksinën kundër COVID-19. Jam i lumtur. I ftoj të gjithë kolegët që të shfrytëzojnë mundësinë për t’u vaksinuar”, tha ai.

Me këtë vaksinë këto ditë në Shqipëri ka filluar imunizimi i mësimdhënësve ndërsa vetëm në Kukës janë vaksinuar mbi 40 të tillë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore