Kosova

Kosova ofron mjedis të përshtatshëm për mundësitë e investimit, thotë Bislimi


Zëvendëskryeministri i së Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se performanca dhe imazhi pozitiv i Kosovës, reflektohet dhe në përmirësimin në pozicione, siç ka theksuar ai “ndër më të lartat ndonjëherë, në renditjet botërore”.

“Ndër hapat e rëndësishëm të ndërmarrë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, është dhe formalizimi i ekonomisë, që ka sjellë rritje të shpejtë dhe të qëndrueshme”, tha Bislimi, teksa njoftoi se ka marr pjesë në “Investment Management Exhibition” të organizuar në Frankfurt.

Ai ka theksuar se Kosova ka potencial të madh zhvillimor, me moshë mesatare të re të popullsisë, cilësi të lartë të demokracisë  dhe Qeveri të fokusuar në punësim dhe drejtësi.

“Kosova ofron një mjedis të përshtatshëm për mundësitë e investimit dhe po avancon përmes një agjende ambicioze drejt integrimit evropian”, shtoi ai.

“Gjithashtu, agjenda ambicioze legjislative dhe ndërmarrja e reformave në fushat e politikës industriale, në statusin strategjik të investitorit, krijimin e Gjykatës Komerciale, reformimit të legjislacionit për Zonat Ekonomike dhe po ashtu mbi inovacionin, e bëjnë Kosovën një vend të sigurt për tërheqjen e investimeve strategjike”.

Ndërsa sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, nga janari deri në shtator 2021, investimet e huaja direkte në Kosovë kanë arritur në 388 milionë e 800 mijë euro.

Por, një deklaratë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, se në Kosovë mund të ketë luftë pati “trembur investitorët e huaj”, dhe mund ta zvogëlojë shifrën e lartcekur të investimeve në vend, derisa ka ngjallur reagime të shumta nga opozita.

Madje, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pati thënë se “Kurti e do krizën”, duke shtuar se e ëndërron protagonizmin tek paniku.

Ndërsa sipas analistëve dhe ekonomistëve, pa zgjidhjen e statusit final mes Kosovës dhe Serbisë, vështirë se do të ketë investime nga jashtë në Kosovë.

Çka thotë raporti i DASH-it për investimet e huaja në Kosovë?

Sipas raportit të DASH-it, Kosova ka potencial për të tërhequr investime të huaja direkte, por ky potencial është i kufizuar nga dështimi për të adresuar disa çështje serioze strukturore, duke përfshirë integrimin e kufizuar ekonomik rajonal dhe global; paqëndrueshmëria politike dhe ndërhyrjet në ekonomi; korrupsioni; furnizim jo i besueshëm me energji; një sektor i madh informal; vështirësi në vendosjen e të drejtave pronësore; dhe sundimi i dobët i ligjit, duke përfshirë një mungesë të dukshme të zbatimit të kontratave.

“Aftësia e vendit për të mbështetur rritjen mbështetet ndjeshëm në mbështetjen financiare ndërkombëtare dhe remitancat. Aktivitetet e pasurive të paluajtshme dhe të qiradhënies janë përfituesit më të mëdhenj të investimeve të ndjekura nga shërbimet financiare dhe energjia”, thuhet në raport.

Sipas DASH-it, sektorët e ushqimit, IT, infrastrukturës dhe energjisë janë në rritje dhe ka të ngjarë të tërheqin investimet e reja.

Kosova po adreson gjithashtu sigurinë e saj energjetike duke rritur kapacitetin e saj të energjisë së ripërtëritshme dhe duke lehtësuar më shumë projekte të burimeve të ripërtëritshme të bankave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore