Lajme

Rrezik për konflikt të armatosur


Albin Kurti

Ka pasur rrezik të përshkallëzohej situata në Veri gjatë tensioneve të ditëve të para të gushtit, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i pyetur nga Radio Evropa e Lirë nëse Kosova rrezikonte konflikt të armatosur.

“Rrezik ka pasur për shkak të frikës së injektuar nga Beogradi dhe për shkak të planeve të bëra në Rashkë dhe në Beograd. Pra, mbledhjet në Beograd dhe në Rashkë janë vendet dhe ngjarjet ku është planifikuar ai tensionim i situatës në Kosovë”, ka deklaruar ai.

Madje, sipas kryeministrit, “rreziku ekziston” ende, “por ne bëjmë gjithçka që atë ta minimizojnë”.

Sa për barrikadat që u vendosën nga serbët në Veri, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, për zbatimin e masave reciproke për targat dhe hyrje/daljet e serbëve në Kosovë, Kurti pohon se ato s’kanë qëllim veç bllokimin e rrugëve.

“Këto barrikada që janë ngritur më 31 korrik e kanë një risi sepse për nga karakteri i tyre nuk janë thjesht barrikada për të penguar qarkullimin por edhe për të qëlluar mbi automjetet që vijnë”, deklaron ai.

“Andaj në këto barrikada kishte njerëz të armatosur. Nuk bëhej fjalë për barrikada me njerëz civilë që, thjesht, pengojnë lirinë e qarkullimit. Bëhej fjalë për barrikada me njerëz të armatosur, të cilët e kanë vendosur barrikadën në një pozicion të tillë që është i favorshëm për të qëlluar mbi automjetet ose njerëzit që vijnë”.

Kurti është pyetur edhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Por, ka thënë se tashmë ekziston një Asociacion komunash dhe s’ka nevojë për një të dytë.

“Kosova e ka Asociacionin e Komunave të Kosovës. Unë besoj se gjithçka mund të realizohet aty. Asociacioni i Komunave të Kosovës është shprehje e unitetit të vendit tonë dhe njëkohësisht është shprehje e brengës sonë për çdo nevojë që mund ta kenë komunat”, deklaroi ai.

“Pra, nuk besoj që ka ndonjë çështje që komunat e Kosovës nuk mund ta adresojnë në Asociacionin e Komunave të Kosovës. Serbët e Kosovës nuk e kanë kërkuar asociacionin njëetnik, ai ka qenë kërkesë e Beogradit dhe fatkeqësisht koncesion i pararendësve të mi”.

Por, i dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë që tashmë Asociacioni duhet të diskutohet.

Dhe Escobar kur flet për Asociacionin, fjalën e ka për atë të komunave me shumicë serbe të nënshkruar në Bruksel.

Megjithatë, Kurti ka në mendje disa propozime të tjera.

“Modelet, të cilat janë zhvillimore, janë padyshim të nevojshme. Nëse kemi, ta zëmë, komunat e Maleve të Sharrit, ose të Bjeshkëve të Rugovës, ose komunat e Lumit Lepenc, komuna të cilat kanë të bëjnë me veçantinë gjeografike, ekonomike e zhvillimore të komunave, unë jam i interesuar”, thotë ai.

“Por, asociacione sipas kriterit etnik, nuk e kalojnë testin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të parimit universalist demokratik. Nuk e kalojnë. Pra, nuk duhet të bëhet asociacioni i komunave serbe pse kemi këtë identitet etnik, nëse ia duam të mirën këtij vendi. Dhe, kur kihet parasysh që Beogradi – paralelisht me kërkesën për asociacion njëetnik – deklaron se kurrë nuk do ta njohë Kosovën, pasi që masakra e Reçakut kurrë nuk ka ekzistuar – atëherë besoj që nuk ka njeri për të cilin nuk është i qartë konteksti në të cilin jetojmë”.

Intervistën e plotë mund ta ndiqni në Radio Evropa e Lirë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore