Lajme

Kosova në Këshill të Evropës: Në maj vendoset edhe për fatin e Serbisë dhe Ukrainës, thotë gazetari ukrainas


Ilustrim

Anton Filipov, gazetar ukrainas, derisa komentoi miratimin e raportit nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë të rëndësishme evropiane, kujtoi se lëvizjet reale politike do të nisin në prag të takimit të ministrave të jashtëm – organi vendimmarrës i organizatës – në mes të majit në Strasburg të Francës.

Në një artikull të publikuar në platformën ukrainase të lajmeve “European Pravda” të enjten, ai vlerësoi se 16 prilli 2024 shënoi një ditë të disfatës politike për shtetin serb, ndërsa shtoi se fati i Serbisë, por edhe i Ukrainës, do të vendoset kur Komiteti i Ministrave në kuadër të Këshillit të Evropës do ta ftojë Kosovën të bëhet anëtarja më e re e organizatës më të vjetër.

“Për Kosovën, anëtarësimi në Këshillin e Evropës është në radhë të parë çështje njohjeje […] Gjithçka do të qartësohet pas mbledhjes së Komitetit të Ministrave midis 16 dhe 17 majit në Strasburg, i cili supozohet të miratojë vendimin përfundimtar. Do të vendoset jo vetëm për fatin e Serbisë por edhe për Ukrainën”, potencoi ndër të tjera gazetari i njohur ukrainas.

Filipov, duke qenë se Ukraina refuzon ta njohë Kosovën, kurse prania e Serbisë në Këshillin e Evropës ndodhet në pikëpyetje për shkak të Kosovës, paralajmëroi zhvillime të rëndësishme muajin e ardhshëm. Ai shprehet i sigurt se Ukraina do t’i ndërrojë partnerët – ka shumë kuptim të mbështeten kosovarët, shtoi ai, të cilët ndihmuan Ukrainën pas agresionit rus.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore