Lajme

Kosova merr mbështetjen e Austrisë në procesin e liberalizimit të vizave


Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger dhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca

“Austria e mbështet Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave dhe integrimeve euro-atlantike”.

Kështu është deklaruar ambasadori i Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger, i cili gjatë ditës së martë e ka takuar Kryetarin e Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, me ç’rast kanë biseduar për fuqizimin e mëtejmë të partneritetit ndërmjet dy vendeve.

Kryekuvendari Konjufca duke falënderuar ambasadorin Weidinger për përkrahjen e vazhdueshme të shtetit austriak ka theksuar se Austria mbetet partner i rëndësishëm për Kosovën.

“Kosova është e gatshme për intensifikimin e bashkëpunimit në projekte të përbashkëta siç është projekti DEMOS, si dhe në sferën e legjislativit dhe të diplomacisë parlamentare”, ka thënë Konjufca, raporton faqja zyrtare e Kuvendit të Kosovës.

Në takim është biseduar edhe për procesin e dialogut me Serbinë ku Konjufca ka përsëritur qëndrimin se marrëveshja gjithëpërfshirëse duhet të rezultojë me njohje reciproke.

Ndryshe një javë më parë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë vizitës së tij dy ditore në Austri ishte takuar me homologun e tij Alexander Schallenberg, ku ky i fundit kishte deklaruar se Austri dëshiron të thellojë edhe më tej marrëdhëniet me Kosovën.

“Takim i mirë me kryeministrin Kurti. Diskutuam për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona të ngushta dypalëshe si dhe për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”.

“Përsërita mbështetjen tonë të plotë për perspektivën evropiane për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, kishte shkruar Schallenberg në rrjetin e tij social, Twitter.

Albin Kurti dhe Alexander Schallenberg

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore