Lajme

Kosova furnizohet me mbi 38 mijë doza të vaksinës AstraZeneca


Ilustrim, vaksina anti-COVID nga kompania AstraZeneca

Kosova të mërkurën e katër gushtit është furnizuar me mbi 38 mijë doza të reja të vaksinës anti-COVID nga kompania AstraZeneca.

Këto vaksina janë prokuruar nga programi i Fondit të Emergjencës së Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF), përmes kompanisë së vaksinave COVAX.

Kjo është bërë e ditur përmes një postimi në faqen zyrtare të UNICEF-it.

“Sot, Kosova pranoi 38 mijë e 400 doza të tjera të vaksinës AstraZeneca / Oxford COVID-19, të prokuruara nga UNICEF-i përmes COVAX-it”, thuhet në njoftim.

Sipas këtij njoftimi, thuhet se kjo është dërgesa e katërt e vaksinave COVID-19 në Kosovë përmes COVAX.

“Deri më tani, Zyra e UNICEF-it në Kosovë e ka mbështetur Ministrinë e Shëndetësisë me donacionin e 211 mijë e 420 dozave të vaksinës COVID-19 përmes COVAX”, vijon njoftimi.

Ndërkohë, në javët në vijim pritet që në kosovë të arrijnë edhe mbi 500 mijë vaksina nga kompania e vaksinave kundë COVID-19, Pfizer.

“Një dërgesë tjetër prej 521,820 dozave të vaksinës Pfizer-BioNTech COVID-19 do të arrijë në javët e ardhshme”.

Vaksinimi kundër COVID-19 në sallën “1 Tetori”, në Prishtinë.

Ndërsa, bëhet e ditur se me vaksinat e dorëzuara deri më tani dhe arritjen e vaksinave tjera në javët e ardhshme, “UNICEF-i përmes COVAX do të mbulojë 20% të popullsisë së Kosovës”.

Në Kosovë deri më tani janë përdorur vetëm dy lloje të vaksinave, AstraZeneca dhe Pfizer.

Derisa dozat e AstraZenecas kanë ardhur kryesisht ndërmjet programit COVAX dhe si donacione direkte nga shtetet e tjera evropiane.

Ndërsa, një pjesë e vaksinave Pfizer kanë ardhur si donacion i Bashkimit Evropian ndërkaq një pjesë tjetër janë blerë nga Qeveria e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore