Lajme

“Kosova është në zemrat e gjithë familjes Biden”


Preisdenti i ShBA-së, Joe Biden

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, do të pranojë Medaljen Presidenciale të Kosovës mbi Sundimin e Ligjit në emër të birit të tij të ndjerë, Beau Biden, i cili ndihmoi shtetin e ri të Kosovës të ndërtojë sistemin e drejtësisë para një dekade.

Beau Biden, i cili vuante prej kancerit në tru që edhe përfundimisht i mori jetën në vitin 2015, ka shërbyer si këshilltar ligjor në Kosovë në vitin 2001, kur Kosova sapo kishte dalur nga lufta.

Duke shërbyer në Gardën Kombëtare të Ushtrisë, Biden ndihmoi në trajnimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve për organizimin, sigurinë dhe bashkëpunimin në Evropë.

Pas vdekjes së tij, qeveria e Kosovës emëroi një rrugë me gjatësi 33 kilometra në pjesën juglindore të vendit si “Joseph R. “Beau” Biden III” në Rrugën Kombëtare.

Familja Biden vizitoi Kosovën për ceremoninë e emërtimit të rrugës në vitin 2016.

Joe Biden në kohën kur shërbente si Senator në ShBA mbrojti fuqishëm përfshirjen ushtarake amerikane në Ballkanin e tronditur me lufta, dhe kishte rol kyç në përfundimin e luftërave të përgjakshme jugosllave.

Gjatë tërë fushatës presidenciale të vitit 2020, por edhe tani në Shtëpinë e Bardhë, trashëgimia e Beau Biden ka qenë një forcë udhëheqëse për presidentin Biden.

Në një video të xhiruar paraprakisht e cila do të shfaqet në ceremoninë e dhënies së çmimit për nder të Beau Biden, presidenti amerikan falënderoi thellësisht Kosovën ”për këtë nder të madh”.

“Punën që Beau ka bërë në Kosovë e ka bërë me zemër. Ai ra në dashuri me atë vend. Beau besonte se çfarë mund të arrinit ju. Beau edhe atëherë e shihte të ardhmen e mundshme për vendin tuaj krenar. Kombi i Kosovës është në zemrën e familjes Biden”, tha Joe Biden.

NBC News raporton se ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, do të pranojë medaljen në ceremoninë e së dielës.

Teksti është përditësuar. 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore