Lajme

Kosova dhe Mali i Zi heqin pagesën e sigurimit kufitar


Ilustrim i fotografise

Nga 1 korriku pushuesit nga Kosova nuk do të paguajnë sigurimin për vetura në vlerë prej 15 euro në pikën kufitare më Malin e Zi.

Byroja Kosovare e Sigurimeve sot do të nënshkruajë marrëveshjeByron Nacionale të Siguruesve të Malit të Zi, që të hiqet pagesa prej 15 eurove gjatë sezonës turistike.

Deri tani, pushuesit nga Kosova që shkonin me vetura në Mal të Zi paguanin 15 euro për njohjen reciproke të certifikatave të sigurimit për mbulimin e përgjegjësisë në shkaktimin e dëmeve ndaj palëve të treta në territoret e ndërsjella.

Byroja Kosovare e Sigurimeve ka bërë e ditur se marrëveshja do të nënshkruhet nga kryetari i BKS-së, Sami Mazreku dhe drejtori i Byrosë Nacionale të Siguruesve në Mal të Zi, Boris Saban.

Drejtuesit e mjeteve motorike me targë të regjistrimit të Kosovës gjatë hyrjes në Malin e Zi do të prezantojnë certifikatën e sigurimit TPL + valide, e cila aplikohet edhe në MoU-të me Maqedoninë dhe Serbinë.

Ndërsa, drejtuesit e mjeteve motorike me targë të regjistrimit të Malit të Zi gjatë hyrjes në Kosovë do të prezantojnë Kartonin e Gjelbër valid.

“Përmes këtij memorandumi të nënshkruar ndërmjet dy Byrove në cilësinë e përfaqësueseve të industrive të sigurimit, synohet të arrihet lëvizja e lirë e qytetarëve duke mundësuar rritjen e potencialit të zhvillimit ekonomik dhe rritjen e qarkullimit të mallrave e shërbimeve, duke siguruar çdo herë mbrojtjen e të drejtave të policëmbajtësve dhe palëve të treta të dëmtuara, në kuadër të zbatimit të Rregullores së Brendshme të Këshillit të Byrove dhe legjislacionit të secilit vend”, thuhet tutje në njoftim.

Bisedimet për këtë marrëveshje kishin rifilluar nga 1 marsi, por për shkak të disa mosmarrëveshjeve teknike nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit nuk ka qenë i mundur deri tani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore