Lajme

“Korniza e re” e dialogut do diskutohet në takimin e radhës mes Kurtit dhe Vuçiç-it


Njëri nga takimet mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç.

Propozimi franko-gjerman të cilin Albanian Post e ka publikuar të dielën e 18 shtatorit, pritet të jetë temë diskutimi në takimin e radhës mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç.

Kështu është shprehur komentatori serb i politikës së jashtme Boshko Jakshiç, për mediumin serb “Nova”.

“Natyrisht që do të bisedojnë, siç u diskutua në takimin trepalësh Vuçiç, Scholz dhe Macron”, thotë ai.

Duke shtuar se “do të jetë e vështirë të arrihet një marrëveshje mes dy palëve”.

“Burime shumë të besueshme thonë se nuk ka asgjë nga ajo që është prezantuar, që është një përshpejtim i qartë (për anëtarësim në BE) dhe ndihmë e bollshme financiare. As financat nuk përmenden, as afate, pra bëhet fjalë për një interpretim të lirë të Vuçiç, që padyshim që i shkon në një farë mënyre, por në atë letër nuk ka një gjë të tillë”, thotë ai

Gazetari serb, Boshko Jakshiç

E para që pranoi ekzistencën e një dokumenti katërfaqësh, të cilën e kishte publikuar Albanian Post të dielën e 18 shtatorit, ishte ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla.

Pas saj, ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili e pranoi ekzistencën e propozimit, por u arsyetua se s’mund të thotë gjithçka në publik meqë akoma “nuk është ngurtësuar” mjaftueshëm.

“Pra duhet diçka të ngurtësohet që të publikohet, përderisa është në gjendje të lëngshme nuk është korrekte nga ana ime që ta publikoj, pas ngurtësimit vjen publikimi”, tha Kurti.

I pari i cili foli për këtë dokument ishte presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili pranoi se e ka parë një dokument të tillë, derisa në Kosovë qeveria, në atë kohë, në stilin e zakonshëm refuzoi të komentojë.

Të dielën e 18 shtatorit, Albanian Post publikoi dokumentin katër faqesh i cili paraqiste planin në kornizën e re për marrëveshje në mes të Kosovës e Serbisë, i përpiluar pas angazhimit të këshilltarëve të presidentit Emmanuel Macron dhe kancelarit Olaf Scholz.

Aty thuhet se në vitin 2023 duhet të nënshkruhet marrëveshja e dytë për normalizim të marrëdhënieve, pas asaj të vitit 2013, me të cilën Serbia faktikisht e pranon realitetin e Kosovës shtet të pavarur, por nuk e njeh formalisht.

Në një fazë të mëvonshme, hipotetikisht pas 10 vitesh, atëherë kur BE-ja është e gatshme të zgjerohet dhe ta përfshijë Ballkanin perëndimor, arrihet marrëveshja për njohje të ndërsjellë, si parakusht i të dy shteteve për anëtarësim në BE.

Me marrëveshjen e vitit të ardhshëm (nëse pranohet propozimi) Kosovën e pranojnë edhe pesë shtetet që akoma nuk e kanë njohur të Bashkimit Evropian, kurse Serbia do të përfitojë një ndihmë masive financiare, asistencë ekonomike dhe do njihet si fuqia e rajonit.

“’Korniza e re’ të cilën e publikoi Albanian Post është propozimi i ri i ardhur direkt nga përfshirja e Macron e Scholz në procesin e dialogut, sepse siç thuhet në dokument ‘Kosova e Serbia në vete nuk do të mund ta zgjidhin kurrë problemin’”.

Dokumenti shpjegon logjikën prapa kornizës së re, përmban vizionin 10 vjeçar të zgjidhjes së problemit dhe jep një “makro-perspektivë”.

Përbëhet nga hyrja dhe më pas është i ndarë në tri segmente bashkë me tre nën-titujt që përmbajnë 13 pika.

Të gjitha segmentet shpjegojnë të ashtuquajturën “kornizën e re”, e cila u është prezantuar Albin Kurtit e Aleksandër Vuçiç-it.

Propozimi në fund parasheh edhe si të vazhdohet tutje nëse Kosova dhe Serbia nuk pranojnë këtë propozim.

Ekskluzive, “korniza e re” në dialog: Marrëveshje përmbajtësore vitin e ardhshëm, finalja pas 10 vjetësh – Kosova fiton njohje nga 5-shja e BE’së, anëtarësim në organizata; Serbia përfiton ndihma masive

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore