Lajme

Konjufca në takim lamtumirës me ambasadorin Minxhozi: E falënderova për kontributin e tij në thellimin e raporteve mes dy vendeve


Glauk Konjufca dhe Qemal Minxhozi

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim lamtumirës ambasadorin e Shqipërisë në Prishtinë, Qemal Minxhozi, të cilën e ka falënderuar për punën e tij në thellimin e raporteve në me të dy vendeve.

“I shpreha mirënjohjen time për punën e tij të suksesshme në drejtim të thellimit të bashkëpunimit të ngushtë mes Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, shkroi Konjufca në Facebook.

Konjufca theksoi se ambasadori Minxhozi ka shërbyer gjithë këto vite në “interes të popullit tonë, duke punuar me devotshmëri për afrimin e vazhdueshëm të raporteve mes institucioneve të dy shteteve tona, në të mirë të qytetarëve dhe aspiratave tona të përbashkëta”.

“Duke e ditur këtë, e falënderova përzemërsisht ambasadorin Minxhozi për kontributin e jashtëzakonshëm, për nivelin e lartë diplomatik të cilin instaloi ai, me bindjen se do të jetë shembulli me të cilin do të krahasohet çdo iniciativë dhe përpjekje e ardhshme ndërshtetërore, për vitet që do të vijnë”, shtoi.

Foto: Glauk Konjufca

I pari i kuvendit pohoi se me ambasadorin shqiptar janë pajtuar se marrëdhëniet e shteteve tona vëllazërore duhet të jenë të prioritetit më të lartë dhe të një niveli të padiskutueshëm, “përbrenda aspiratës së interesave dhe qëllimeve të kombit tonë”.

“Pafundësisht mirënjohje ambasador dhe suksese më tej!”, përfundoi.

Takim lamtumirës ambasadori Minxhozi ka zhvilluar edhe me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve kosovare, të cilët e kanë falënderuar për punën e tij.

Ambasadori Minxhozi pritet në takim lamtumirës nga Kurti

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore