Shqipëria

Konjufca: Kadare do të mbetet mbrojtësi më i madh i identitetit evropian të shqiptarëve


Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar nëpërmjet një postimi në “Facebook” të hënën pas vdekjes së shkrimtarit të madh, Ismail Kadare, duke thënë se letërsia shqipe humbi një nga kolosët e saj më të veçantë, ndërsa kultura shqiptare mbeti pa ambasadorin e vet më të shquar.

“Vepra e Kadaresë, përveç vlerave letrare e artistike të nivelit botëror, për ç’gjë u përkthye, u lexua e u nderua anë e kënd botës, ajo do të mbetet enciklopedia më e plotë e shpirtit, etnosit dhe identitetit shqiptar. Kadare ishte jo veç krijuesi i veprave monumentale në letërsinë tonë, por edhe qëmtuesi dhe kultivuesi më pasionant i gjuhës shqipe”, ka thënë ai.

“Si trasues i traditës së rilindasve, ai ishte një flamurtar i palëkundshëm i shqiptarizmës në prozën, poezinë dhe eseistikën e tij. Ai do të mbetet mbrojtësi më i madh i identitetit europian të shqiptarëve. Kadare sot na la fizikisht, por ai do të jetojë në mendjen dhe shpirtin e lexuesve të tij përgjithmonë. Vepra e tij do mbetet e pavdekshme”, ka shtuar Konjufca.

Kadare vdiq në orët e para të mëngjesit të sotëm, në moshën 88-vjeçare. Librat e Kadaresë janë përkthyer në më shumë se 45 gjuhë të botës. E falë tij, letërsia shqipe arriti majat. Kadare fitoi disa çmime ndërkombëtare. Ndër vite, u përmend si pretendent i mundshëm për Çmimin Nobel për Letërsinë.

Shuhet kolosi Ismail Kadare

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore