Kosova

Konjufca: Beteja e Kosharës, sinonimi më i mirë i betimit të ushtarit të UÇK-së


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjuca.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në seancën solemne të Kuvendit për shënimin e 25 vjetorit të Betejës së Koshare, e ka përshkruar këtë betejë si operacionin më të madhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai në fjalimin e tij ka thënë se kjo është edhe njëra ndër betejat më domethënëse që mundësoi çlirimin e Kosovës, pasi në Koshare luftoi e gjithë shqiptaria.

“Beteja e Kosharës, u bë shtegu pa kthim i përpjekjeve një shekullore të kombit shqiptar për çlirim e për bashkim. Kjo betejë ishte sinonimi më i mirë i betimit të ushtarit të UÇK-së”.

“Themelimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është një nga ngjarjet më të rëndësishme të kobit shqiptar në 100 vitet e fundit, ndërkaq Beteja e Kosharës, është njëra nga betejat më të lavdishme të luftës tonë për çlirim nga Serbia”, tha Konjufca.

Konjufca, theksoi se kjo betejë ia humbi përfundimisht kontrollin Jugosllavisë mbi kufirin e vendosur dhunshëm në mes të shqiptarëve.

“Ashtu siç UÇK-ja, e dha çlirimin dhe lirinë e Kosovës beteja e Kosheres ia dha namin UÇK-së si një ushtri e aftë për ta ushtruar armatën jugosllave duke e bërë atë tashmë të paaftë që ta garantoj kufirin e vendosur dhunshëm mes Kosovës dhe Shqipërisë”.

Ndërsa, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, potencoi se 25 vjet më parë Kosova ishte në një udhëkryq ekzistencial i krijuar nga padrejtësia, shtypja, tirania, por mbi të gjitha nga tendenca e “regjimit gjenocidial të Serbisë për shfarosje të popullit tonë”.

Beteja e Koshares, njëra ndër betejat më të përgjakshme dhe më heroike të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e udhëhequr nga Brigada 138, në krye të së cilës ishte komandanti Agim Ramadani më, 9 prill të vitit 1999, të shtunën shënon 23 vjetorin e saj.

Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë përveçse ishte një fitore morale për UÇK-në, ajo i hapi rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në Kosovë.

Në aspektin strategjik beteja e Koshares kishte rëndësi të veçantë jo vetëm në marrjen dhe pastrimin e kufirit, por edhe krijimit të prapavijës së qëndrueshme për mbështetje dhe operacione logjistike, ndihmë mjekësore.

Beteja e Koshares mbetet një nga përballjet më të suksesshme të forcave të UÇK-së për vetë faktin e bilancit e të vrarëve nga pala e armikut, dhe me efektin që pati ky sukses në forcimin e besimit të popullsisë së zonës tek UÇK-ja dhe aleatët e saj. Kjo betejë u bë motiv për shtimin e radhëve të vullnetarëve që i bashkoheshin UÇK-së në front.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore