Lajme

Komisioni për Shëndetësi s’e voton projektligjin për çmimin e barnave – LVV-ja pro, Lista Guxo kundër


Komisioni për Shëndetësi

Komisioni për Shëndetësi, këtë të premte në mbledhjen e tij të rregullt, nuk ka hedhur në votim Projektligjin për çmimin e produkteve medicinale, për shkak të mospajtimeve mes anëtarëve të këtij komisioni, përfshirë edhe atyre të mazhorancës.

Deputetët e Listës Guxo kanë kërkuar plotësim-ndryshimin e këtij projektligji, meqë sipas tyre duhet të përkrahen prodhuesit vendor farmaceutik, gjë të cilën e përkrahën edhe anëtarët e komisionit nga opozita.

Megjithatë kundër plotësim-ndryshimit të një pike të projektligjit ishin deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, pasi sipas tyre me këtë projektligjit do të ketë unifikim të çmimit të barnave.

Haxhiu Avdyli, nga Lista Guxo tha projektligji në fjalë ka një problem të vogël meqë nuk po mbështen prodhuesit vendor.

“Janë shumë elemente të mirë në këtë projektligji, por kemi një mangësi që nuk jemi duke përkrah prodhuesin vendor. Me anë të këtij Projektligji ne nuk jemi duke i bërë favor, por jemi duke i bërë disfavor, nuk jemi duke i bërë prodhuesit vendor të barabartë me prodhuesit e rajonit, por jemi duke bërë disfavor. Me anë të këtij ligji mund të ndodh të mbyllet një fabrikë shumë prestigjioze që ka mbi 20 milionë euro investim”, deklaroi Avdyli.

Në të njëjtë linjë të mendimit me Avdylin, ishte edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj.

“Prodhuesi vendor nuk po mbështetet sa duhet me këtë ligj dhe mendoj se i njëjti duhet të ketë në konsiderim këtë. Nuk pajtohem që ky ligj të aprovohet sot kësisoj dhe pastaj edhe një herë të marrin ne në dorë”, ka shtuar ai.

Mirëpo të kundërtën thanë deputetët e LVV-së, që potencuan se përmes këtij projektligji do të ketë unifikim të çmimeve të barnave.

“Qëllimi i këtij projektligji është që të vendoset një rregullativ dhe për herë të parë të kemi një unifikim të çmimeve dhe një kosto më të përballueshme për qytetarët. Besoj që ky ligj do të ndryshojë shumë për të mirë situatën sa i përket qytetarëve dhe pacientëve që kanë nevojë për barna”

Kritikat e tij për këtë projektligj shprehu edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, i cili tha se me këtë projektligj krijohet një hapësirë e madhe e manipulimit për çmimet e barnave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore