Lajme

Komisioni i QKUK-së, pezullon nga puna mjekun që dyshohet se pranoi ryshfet


Foto: Albanian Post.

Komisioni Disiplinor i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka pezulluar nga puna ortopedin Sami Delijaj, i cili dyshohet për marrje ryshfeti.

Lajmin e ka bërë të ditur Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK).

“ShSKUK ju konfirmon se Komisioni Disiplinor i QKUK-së, bazuar në Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti për Krime të Rënda me nr: 2023:188627 datë 06.09.2023, ku Dr. S. D,  i ka caktuar masa e Arrestit Shtëpiak”.

“Po ashtu në kuptim të shkresës zyrtare me nr. 220 datë 07.09.2023, të Drejtorit të Klinikës së Ortopedisë dhe Traumatologjisë Lokomotore të QKUK-së, vendosi  që S.D. në vendin e punës ushtrues detyre Shef i Repartit të Ortopedisë së Përgjithshme në Klinikën e Ortopedisë dhe Truamtologjisë Lokomotore të QKUK-së, i shqiptohet masa PEZULLIM I PËRKOHSHËM NGA PUNA”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së për Betimin për Drejtësi.

Mjeku i arrestuar për ryshfet, Sami Delijaj.

Ndërsa, është theksuar se ai do të përfitojë 50 për qind të pagës së plotë gjatë kohës së pezullimit të përkohshëm.

“Gjatë kohës së pezullimit të përkohshëm nga puna i punësuari përfiton 50% të pagës së plotë, duke përjashtuar çdo lloj shtese në pagë për një periudhë pezullimi deri në gjashtë (6) muaj. Ky vendim hyn në fuqi nga data 08.09.2023”.

Më 6 shtator, Gjykata Themelore në Prishtinë ia kishte caktuar masën e arrestit shtëpiak mjekut i cili dyshohet për “marrje të ryshfetit”.

Për këtë rast gjyqtarja e procedurës paraprake e kishte refuzuar si të pabazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit S.D dhe të njëjtit i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji.

Edhe më 30 prill, një anesteziolog dhe një kirurg ishin arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Gjilanit si të dyshuar për marrje ryshfeti e vërtetoi edhe një herë që ryshfeti është fenomen shumë i pranishëm në institucionet shëndetësore të Kosovës.

Për dy mjekët të cilët u arrestuan me 30 prill, Gjykata Themelore në Gjilan kishte marrë vendim për caktimin e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore