Lajme

Komentet anti-LGBT i kushtojnë postin këshilltarit të Qeverisë japoneze


Kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida, e ka pushuar menjëherë nga detyra një këshilltar të Qeverisë që ai drejton, pas disa komenteve denigruese ndaj martesave mes të njëjtës gjini, që ai kishte bërë.

Masayoshi Arai, këshilltari qeveritar japonez, pati thënë se ai nuk do të kishte dëshirë dhe as nuk do të donte, të jetojnë pranë, apo të shihte, persona të të njëjtës gjini, të cilët janë të martuar apo bashkëjetojnë.

Madje, ai specifikoi se nëse martesat gay lejohen, atëherë shumë qytetarë japonezë do të iknin nga vendi i tyre dhe do ta braktisnin Japoninë.

Sipas kryeministrit Kishida, këto komente janë shumë shqetësuese dhe të papranueshme me asnjë prej politikave që qeveria e tij ndjek.

Në fakt, Japonia, mes ekonomive më të mëdha në botë, të cilat njihen si grupimi G7, është i vetmi vend – shumë tradicional në mendësi – i cili nuk i njeh ende martesat mes të njëjtës gjini.

Këtë politikë të ndjekur nga shteti japonez e kanë kundërshtuar njerëz të shumtë dhe madje, sipas sondazheve të fundit, shumica e popullatës i mbështet martesat gay.

Kishida, përpara se të shkarkonte këshilltarin qeveritar, e mbajti edhe një fjalim në Parlament, ku pavarësisht dëshirës së mirë për t’i liberalizuar martesat mes të njëjtës gjini, ai bëri edhe thirrje për përmbajtje, pasi duhej parë edhe pozita e personave dhe familjeve tradicionale dhe konservatore në ishullin e largët aziatik.

Çdo hap i mundshëm lidhur me këtë vendim sipas tij, duhej marrë me shumë kujdes dhe nuk duhet nxituar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore