Lajme

Komandanti i KFOR-it ftohet nga Serbia në stërvitjen ushtarake që organizohet 30 kilometra nga kufiri i Kosovës


Ilustrim

Forca paqeruajtëse e NATO-s në Kosovë (KFOR) njoftoi se komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash, do të jetë mysafir special në stërvitjen vjetore ushtarake “Whirlwind 2024” të Forcave të Armatosura të Serbisë (FAS) që do të organizohet të premten rreth 30 kilometra nga kufiri i Kosovës.

“Pjesëmarrja e gjeneralmajorit Ulutash në stërvitjen ‘Whirlwind 2024’ pasqyron marrëdhëniet efektive të zhvilluara midis KFOR-it dhe FAS-it gjatë viteve – duke përfshirë kontaktet e rregullta midis udhëheqjes së KFOR-it dhe Shefit të Shtabit të FAS-it, Millan Mojsilloviç, si dhe përmes vëzhgimeve të KFOR-it të stërvitjeve të kaluara”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

KFOR-i deklaroi ndër të tjera se vazhdon të zbatojë mandatin në përputhje të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) për të ofruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

“Gjithashtu vazhdon të monitorojë të gjitha zhvillimet relevante të sigurisë që mund të ndikojnë në sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin rajonal; dhe mban një qëndrim të dukshëm, fleksibël dhe të adaptueshëm në terren për të adresuar të gjitha rastet”, shtoi misioni i NATO-s.

Kjo stërvitje vjen në kulmin e tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë. Serbia ndaloi mbi 1 mijë e 400 kosovarë, teksa kalonin transit nëpër Serbi. Në mesin e të ndaluarve ishin edhe dhjetë zyrtarë policorë – nëntë zyrtarë policorë janë liruar, kurse ndaj zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviç, autoritetet serbe caktuan masën e paraburgimit prej 48 orësh.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se ndalimi dhe maltretimi i shtetasve të Kosovës u bë në shenjë hakmarrjeje pas votës dërrmuese në favor të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësimin e vendit në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore