Lajme

Komandanti i KFOR-it dhe kancelari austriak diskutojnë për sigurinë në Kosovë


Kancelari i Austrisë, Karl Nehammer është pritur në takim edhe nga komandanti i misionit të Aleancës Veri Atlantike në Kosovë (KFOR), gjeneralmajor Ferenc Kajari, ku kanë diskutuar për situatën e përgjithshme të sigurisë në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Nga Camp Film City në Prishtinë, gjeneralmajor Kajari ka falënderuar kancelarin austriak për kontributin e shtetit austriak për misionin paqeruajtës KFOR.

Pas bisedimeve zyrtare, kancelari Nehamer është takua edhe me ushtarët e kontingjentit austriak.

Kancelari austriak, Karl Nehammer gjatë së premtes së 18 marsit është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidenten, Vjosa Osmani.

I pari i ekzekutivit të Kosovës në një konferencë të përbashkët pas takimit bëri të ditura disa nga kërkesat që i drejtoi kancelarit austriak njëra ndër to edhe shtyrja përpara e procesit të liberalizimit të vizave.

“Nga kancelari kërkova që Austria të shtyjë përpara vendimin për liberalizim të vizave në Këshillin Evropian, pasi ky është vendim i vonuar që po i dëmton qytetarët, bizneset dhe ekonominë e Kosovës. Kosova duhet të përfitojë më shumë fonde nga BE-ja. Fondet e BE-së duhet të jenë të ndërlidhura me vlerat e BE-së”, ka thënë Kurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore