Kosova

Kolonat në Merdare: Policia: Pala serbe po punon ngadalë, i kemi njoftuar ndërkombëtarët


Ilustrim

Policia e Kosovës ka dalur me sqarim për sa i përket situatës në pikën kufitare në Merdare, ku shumë qytetarë po presin me orë të tëra në kolona për ta kaluar kufirin me Serbinë, dhe kjo pritje, sipas policisë, po ndodh për shkak të kapaciteteve dhe punës së ngadalësuar të palës serbe.

Përmes një njoftimi për media nga Policia e Kosovës kanë thënë se bazuar në informacionet që në vazhdimësi i sigurojnë nga të gjitha Pikat e Kalimit Kufitar, “vërehet se një përqendrim më i madh i automjeteve dhe personave që dalin nga Republika e Kosovën është në Pikë Kalimit Kufitar në Merdare, ku pritjet dhe kolonat janë mjaft të gjata”.

Nga policia kanë bërë me dije se sipas planifikimeve të saj, me kohë ka ndërmarrë masat e nevojshme duke angazhuar personel të mjaftueshëm, e gjithë kjo me qëllim të përshpejtimit dhe lehtësimit të qarkullimit kufitar.

“Edhe përkundër angazhimit të personelit të mjaftueshëm dhe punës me disa korsi në dalje të RKS-së, pritjet janë me kohëzgjatje të madhe deri apo edhe mbi 7 orë, për shkak të procedurave, kapaciteteve të vogla dhe punës së ngadalësuar të palës serbe”, thuhet në njoftim.

Bëhet me dije se Policia e Kosovës e ka adresuar këtë shqetësim edhe tek mekanizmat ndërkombëtar, ku ka kërkuar që të rriten kapacitetet dhe përshpejtohet puna nga pala serbe, në mënyrë që të shmangen pritjet e gjata dhe tu mundësohet qytetarëve tanë kalimi më i shpejt kufitar.

Po ashtu, nga policia kanë kërkuar të gjithë personat që shfrytëzojnë pikë kalimet kufitare, në këtë periudhë dalje nga Kosovë, të përdorin edhe ato alternativet (pikat tjera kufitare, në të cilat fluksi është e vogël, për t’iu shmangur kështu pritjeve dhe kolonave eventuale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore