Lajme

Koha për akuza ndaj stafit të Biden: Mohuan që mosha ishte problem dhe e përgatitën keq për debatin


Ka një pyetje të përsëritur pas debatit presidencial amerikan: si u përgatit Joe Biden?

“Ishte një fatkeqësi, politikisht një bombë hidrogjeni”, tha Bob Woodward në studiot e MSNBC, gazetari legjendar i Washington Post që di shumë për presidentët: ishte ai, me Carl Bernstein, që shkaktuan shpërthimin e skandalit të Watergate, gjë që e detyroi Nixon të jep dorëheqjen.

“Jam kurioz të kuptoj se çfarë ndodhi”, tha ai, duke argumentuar se ndoshta Biden ishte në konflikt me stafin që e përgatiste atë në konfrontim.

“Ai ishte shumë i përgatitur, u fokusua në detaje të parëndësishme, kur e vetmja gjë që kishte rëndësi ishte demonstrimi i energjisë”, komentoi një person i afërt me Biden për Axios.

“Ata e trajnuan atë për debatin e gabuar. Studioi shumë, kur e vetmja gjë që i duhej ishte të pushonte”.

Në fakt, Biden ka kaluar një muaj rraskapitës, në nivel personal dhe politik.

Fillimisht ishte dënimi i djalit të tij Hunter, në fund të një gjyqi që nxori në dritë disa nga momentet më të dhimbshme të familjes, më pas udhëtimet në Francë për të përkujtuar zbarkimet e Normandisë dhe në G7 në Itali – gjatë të cilave, shkruan Wall Street Journal, ka shkaktuar shqetësim tek disa liderë evropianë – ku ai nuk mori pjesë në darkën zyrtare.

Në fund të fundit, Biden nuk është më i ri, e pranoi edhe ai vetë.

“E di që po them të dukshmen”, saktësoi ai gjatë mitingut, “por nuk flas më si dikur”.

Për t’u përgatitur për debatin, ai shkoi në Camp David me tufa dokumentesh për të mësuar dhe 16 nga këshilltarët e tij më të besuar: mes tyre ishin Ron Klain dhe Mike Donilon, shefi i tij i shtabit Jeffrey Zients, menaxherja e fushatës së tij Jen O’ Malley Dillon, këshilltarët Anita Dunn, Steve Ricchetti dhe Bruce Reed.

Të gjithë njerëzit, vëren Peter Baker në “New York Times”, shumë të afërt me Biden.

Në Maryland, në rezidencën e presidentëve, ai qëndroi për një javë të tërë, i izoluar, pa u parë kurrë në publik: studioi dhe simuloi debatet në një hangar me avokatin e tij Bob Bauer që luante rolin e Trump, duke ngrënë tacos dhe lasagna.

Klain menaxhoi veprimtarinë, pa ndjekur një protokoll të ngurtë: çdo ditë programi rregullohej sipas nevojës.

Performanca e debatit që në fillim ishte një katastrofë dhe në minutat në vijim Shtëpia e Bardhë filloi të akuzonte rrethin e brendshëm të këshilltarëve të Biden.

“Dikush duhet të dëbohet”, vuri në dukje një ish-zyrtar për Axios, duke shtuar se Biden nuk pushon nga puna kurrë askënd.

Të premten, gjatë pasgoditjeve pas debatit, Zients dhe Dunn mbajtën një takim në Shtëpinë e Bardhë për të qetësuar gjërat, duke i shpjeguar stafit se ishin në disa ditë të vështira dhe se kjo është normale në gjurmët e fushatës.

Megjithatë, në privat, shqetësimi është shumë i madh dhe në qendër të diskutimit brenda partisë ka tre probleme: së pari vendimi për t’u përfshirë në një debat, ku dikush shkoi aq larg në keqdashje sa të sugjerojë se ishte vetëm një mënyrë për të vendosur presidentin përpara faktit, që ta shtyjë atë për tërheqje.

Së dyti përgatitja, konsiderohet absolutisht e gabuar.

Së fundi, fakti që asnjë nga këshilltarët e tij më të afërt nuk pati guximin t’i thoshte Bidenit se kishte ardhur koha për të bërë një hap prapa.

Ajo e moshës, sipas akuzës së heshtur që pëshpëritet në këto orë, është një problem që ekipi i Biden-it nuk ka dashur ta dëgjojë: këshilltarët e tij e kanë hedhur poshtë gjithmonë atë si një obsesion të medias ose si pasojë e propagandës Trumpiane.

“Dihet se ai është i rrethuar nga njerëz shumë besnikë”, shpjegoi për “New York Times”, Elaine Kamarck, një ish-zyrtare në Shtëpinë e Bardhë të Bill Clinton dhe një anëtare e përjetshme e Partisë Demokratike.

“Ai është si një baba për Ron Klain, dhe çfarë i thua babait tënd? Është e vështirë”.

Marrë nga Corriere della Sera, përshtatur për Albanian Post 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore