Lajme

KMDLNj: Protesta e PSD-së s’ishte e dhunshme, policia përdori forcë joproporcionale


Pamje nga protesta e PSD-së

Sipas Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj), protesta e së mërkurës, e organizuar nga Partia Socialdemokrate (PSD), kundër vizitës së kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, ishte jo e dhunshme dhe e drejtë, derisa për policinë, të cilët arrestuan disa aktivistë të PSD-së, kanë thënë se kanë përdorur forcë joproporcionale.

“KMDLNj-a ka monitoruar protestën e organizuar nga PSD kundër vizitës së kryetares së Gjykatës Raciste Speciale, Ekaterina Trandafilova ne Prishtinë përkatësisht takimit në hotelin me një pjesë të përzgjedhur të shoqërisë civile. Jashtë hotelit ishin policë të Kosovës ndërsa brenda hotelit kishte policë specialë të uniformuar dhe të veshur si civilë”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

“Ishin të pranishëm shumë media. Udhëheqës të veteranëve të UÇK- së u prononcuan para mediave sikur që e bënë edhe udhëheqës të PSD -së. Kur aktivistë të PSD -së hodhën tymues, policia e Kosovës intervenoi duke arrestuar së paku 5 aktivistë të PSD -së ndaj të cilëve u përdorë një forcë joproporcionale, për KMDLNJ- ën krejtësisht e panevojshme”.

Në rrëmujën e krijuar, theksohet aty, “është alivanosur gazetari i portalit Arbresh .info”, derisa kanë kërkuar nga Inspektorati Policor i Kosovës “të bëjë hetime nëse janë tejkaluar përgjegjësitë me të cilat është pajisur Policia me rastin e menaxhimit të protestave”.

Në vlerësimin e kësaj organizate, vizita e Trendafilovas në Kosovë, nuk mund të konsiderohet asgjë tjetër, përveç se provokim, derisa protestën e PSD-së e kanë konsideruar të drejtë, pasi që një gjë e tillë është e rregulluar me ligj.

“Protesta, në të njëjtën kohë është e drejtë e njeriut në çdo vend demokratik. Në kohën kur qytetarëve të Kosovës që po mbahen peng në Burgun e Gjykatës Speciale Raciste në Hagë po iu mohohen të drejtat elementare të njeriut, vizita e kryetares së kësaj Gjykate në Prishtinë nuk mund të konsiderohet ndryshe përveç se provokim dhe veprim në kundërshtim me standardet minimale profesionale dhe morale. KMDLNj ka qenë fuqishëm kundër kësaj vizite”, theksohet ndër të tjera aty.

Ndryshe, Partia Socialdemokrate e Kosovës, përmes një reagimi ka kërkuar nga Policia e Kosovës që ta lirojë kryetarin e kësaj partie Dardan Molliqaj dhe pesë aktivistë të tjerë që u arrestuan këtë të mërkurë afër hotelit ku po qëndron kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova.

“Në kundërshtim të Gjykatës Speciale, gjatë protestës së PSD janë arrestuar gjashtë aktivistë: Kryetari Dardan Molliqaj, Zgjim Hyseni, Nol Nushi, Korab Korça, Agron Kabashi dhe Gent Ibrahimi. Kërkojmë urgjentisht të lirohen aktivistët tonë”, thuhet në reagim.

Në reagim po ashtu theksohet se kjo është përpjekje për disiplinim dhe përmirësim imazhi për Gjykatën e padrejtë speciale.

“Metodat frikësuese neve nuk na ndalin. Gjykata është raciste, e padrejtë dhe segreguese. Rezictenca vazhdon. Z. Trendafilova nuk është e mirëseardhur. Policia mund ta garantojë sigurinë fizike, por jo imazhin e një kryesuese të një procesi të padrejtë”.

Reagim brutal i policisë në protestën e PSD-së: Arreston protestuesit, goditen dhe u hidhet sprej syve gazetarëve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore