Lajme

KMDLNj: Policët e kidnapuar nga forcat serbe, të mos përdoren për qëllime politike


Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) përmes një komunikate të lëshuar për media ka kërkuar mos keqpërdorimin për qëllime politike të policëve të kidnapuar nga forcat serbe.

Në reagimin e lëshuar nga KMDLNj, deklaratat e liderëve politikë në vend janë cilësuar si “politike”, pasi që sipas tyre, as Qeveria e Kosovës dhe asnjë institucion tjetër kosovar nuk ka asnjë mundësi të ketë qasje tek policët e rrëmbyer, transmeton AlbanianPost.

“Është joserioze nga një politikan që të deklarojë se ndaj policëve kosovarë është përdorur dhunë në kohën kur nuk e kanë asnjë informatë të vetme. Vetëm sa shqetësojnë familjarët dhe opinionin duke shpërndarë informata të pavërtetuara. Apo se policët e rrëmbyer janë të burgosur politikë kur nuk kanë as aktakuzë të ngritur apo vendim të gjykatës të formës së prerë”, thuhet mes tjerash në reagim.

Sipas KMDLNj, Serbia nuk është e njohur për trajtim korrekt të personave të burgosur, ngase ka mungesë të monitorimit nga burimet e pavarura.

Prandaj, në komunikatë thuhet se opinionet e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç nuk paraqesin interes nga publiku.

“Tre policë të Policisë së Kosovës që u rrëmbyen brenda territorit të Kosovës pas qëndrimit në ndalim policor iu është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve dhe tani, sipas mediave serbe ata janë në Qendrën e Paraburgimit në Kralevë, Serbi. Këtë e vërtetoi edhe kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiç që në një drejtim qytetarëve të Serbisë, midis tjerash deklaroi se ata nuk i ka prekur askush me dorë dhe po trajtohen sikur të ishin në hotel në kohën që, së paku deri më sot nuk ka lejuar asnjë burim të pavarur t’i vizitojë policët e rrëmbyer e që do të raportonte për gjendjen e tyre apo trajtimin eventual jo të mirë ndaj tyre”, thuhet në reagim.

“Serbia nuk është e njohur për trajtimin e mirë të personave të privuar nga liria sepse trajtimi i tyre nuk monitorohet nga burimet e pavarura. Për rastet e të të arrestuarve (më herët), shtetas të Kosovës, KMDLNj–ë nuk ka informata se janë keqtrajtuar gjatë bisedave me ta dhe familjarët prandaj edhe me rastin e trajtimit të tre policëve të rrëmbyer, në mungesë të informatave askush nuk mund të thotë asgjë konkrete për keqtrajtim eventual”, thuhet tutje.

“Se çka thotë Aleksandar Vuçiq nuk paraqet ndonjë interes për faktin se nuk është burim i pavarur i informatave. Po të donte, pa asnjë dyshim do të siguronte qasje për të vizituar policët e rrëmbyer nga ndonjë burim i pavarur në ndërkohë që KMDLNj –ë ka shfaqë vullnet dhe gatishmëri që në çdo kohë, nëse sigurohen kushtet, t’i vizitojë policët e Kosovës”, thonë nga KMDLNj.

Ky këshill i prerë është treguar edhe karshi opozitës, derisa ka thënë se të njëjtët nuk gëzojnë të drejtën për të kritikuar Qeverinë.

“Ky është keqpërdorim flagrant i postit, për qëllime politike. Opozita nuk ka të drejtë të akuzojë qeverinë për fatin e policëve të rrëmbyer për faktin se edhe nëse ata do të ishin në pushtet nuk do të bënin asgjë më shumë. Institucionet e Kosovës janë krejtësisht të pafuqishme të bëjnë diç më shumë përjashtuar këtu sigurimin e mbrojtjes ligjiore duke paguar mbrojtjen e tyre sikur edhe shpenzimet për familjarë nëse ata kanë nevojë për shpenzime që ndërlidhen me rastin”, thuhet pos tjerash në reagim.

Situata u tensionua në Veri të Kosovës kur kryetarët e komunave hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë nën asistimin e Policisë së Kosovës, më 26 maj.
Protestuesit serbë e kanë kundërshtuar ashpër këtë vendim, që nga 26 maji ata janë duke protestuar kundër këtij vendimi.

Gjatë kësaj periudhe nga Serbia janë arrestuar tre policë të Kosovës ata pretendojnë se të njëjtit kanë qenë në territorin e tyre, ndërsa nga institucionet e Kosovës është thënë se policët kanë qenë brenda zonës së Kosovës.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët, gjatë kësaj periudhe mbi 30 gazetarë janë sulmuar nga grupet kriminale të Serbisë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore