Lajme

KMDLNj: Në veri nuk po ndalet rryma


Ilustrim.

Këshilli për Mbrojtjen e Të Drejtave e Të Lirive të Njeriut (KMDLNj), ka reaguar për reduktimet me energjinë elektrike në Kosovë duke thënë se të gjithë konsumatorëve po iu ndalet rryma, në përjashtim të atyre në veri.

“KMDLNj –ë dje ishte në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë të Veriut ku nuk kishte asnjë shenjë se ata po përballen me mungesë të energjisë elektrike sikur që nuk kishte askund agregate”.

Sipas tyre, qytetarët duhet të protestojnë kundër këtij diskriminimi.

“Qytetarët e Kosovës duhet të protestojnë kundër këtij diskriminimi sikur që duhet të mbajnë shënime për të gjitha dëmet në aparatet e amvisërisë, si pasojë e dëmtimeve për shkak të mungesës së rrymës apo ndryshimit të intensitetit të rrymës në mënyrë që pastaj ta padisin këtë ndërmarrje kusarësh që iu ka shkaktuar aq shumë dëme, deri në humbje të jetëve të njerëzve, duke i ikur çdo përgjegjësie”.

Ndërtesa e KEDS

KMDLNj po ashtu, “kërkon që të bëhen të gjitha veprimet dhe të ndërrohet operatori që i ka shkaktuar aq shumë dëme Kosovës dhe qytetarëve të saj”, thuhet në reagim.

Ndërkaq, ka theksuar edhe disa kërkesa ndaj ekzekutivit me përkeqësimin e situatës, energjetike dhe shëndetësore.

“KMDLNj –ë e ripërsëritë kërkesën që për 5 muajt e ardhshëm, pensionistët me pension social ( sipas moshës ) dhe ata nga skema sociale duhet të përfitojnë nga 150 euro shtesë që, për një qeveri që ka zhvillim ekonomik prej 9.9% nuk paraqet asnjë problem”.

Po ashtu, thuhet se KESCO e ka “gërryer deri në asht konsumatorin e Kosovës, që nga privatizimi e deri më sot”.

Gjithashtu, u bë thirrje që Qeveria të mbikëqyre institucionet për orarin e re.

“Qeveria e Kosovës duhet të mbikëqyrë institucionet që e zbatojnë orarin e reduktimeve dhe të ndëshkojë shpërdoruesit e kësaj detyre që , nga aspekti i të drejtave të njeriut është jashtëzakonisht diskriminues; në lokacione të caktuara nuk ka fare reduktime kurse në të tjerat janë 6 e më shumë orë”.

Ndryshe, nga e enjtja e 23 dhjetorit janë kthyer reduktimet e energjisë elektrike.

Kufizimet do të jenë rreth dy orë dhe do të prekin të gjithë konsumatorët në kohë të ndryshme, përveç atyre emergjentë.

Këtë e ka bërë të ditur operatori i shpërndarjes së rrymës në vend, KEDS,pasi sipas tyre ky vendim ka ardhur për shkak të mbingarkesës së sistemit elektroenergjetik në vend ditëve të fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore