Lajme

KMDLNj: Buxheti për çlirimtarët qenka shumë, por miliona euro për rrymën në Veri s’përmenden


Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), ka reaguar rreth shpenzimeve që bëhen për të siguruar mbrojtje ligjore apo për të mbështetur familjet gjatë vizitave në Hagë, ku vazhdojnë të mbahen ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nga KMDLNJ është thënë se 16 milionë euro për çlirimtarët thuhet të jenë “shumë”, kurse “qindra milionë” për rrymën në Veri as nuk përmenden.

“Fillimisht kishin probleme të natyrës burokratike të pajisen me viza afatgjata, vendosje si dhe probleme tjera gjatë udhëtimit”.

“Vizitat “humanitare“ për të burgosurit ishin skajshmërisht degraduese, refuzoheshin pa ndonjë arsye dhe shkelnin të drejtat elementare të personave të privuar nga liria duke ua mohuar mbajtjen e vazhdimësisë së rregullt me familje dhe duke ua rrezikuar mjedisin social që është njëri ndër kushtet themelore për ruajtjen e shëndetit mendor dhe fizik”.

Nga ky këshill është thënë se deklaratat nga ministria e Drejtësisë dhe kryeministri duke përmendur shpenzimet për ish-krerët e UÇK-së janë “poshtërsi dhe manipulim”.

“Krahasoni tash 16 milionë që paguhen për ata që e bënë luftën, e sollën lirinë, e shpallën pavarësinë dhe e bënë shtetin, me qindra milionë euro të shpenzuara për rrymën dhe shërbime të tjera si dhe paga për ata që e luftuan Kosovën, ishin kundër lirisë, ishin kundër pavarësisë, ishin kundër shtetit dhe me çdo kusht duan ta shkatërrojnë shtetin”.

“Nuk është asgjë tjetër përveç se është poshtërsi dhe manipulim!”.

Tutje është thënë se shteti ka detyrim ndaj secilit qytetarë që mbahet në burgjet e shteteve tjera.

“Realisht, shteti i Kosovës ka detyrim ndaj cilitdo shtetas të Kosovës që mbahet në burgjet e shteteve tjera, qoftë duke siguruar asistencë ligjore apo duke përkrahur familjet nëse ato nuk kanë mundësi materiale”.

Kush po gjykohet?

Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me vrasje, tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi në periudhën 1998–1999.

Për këto krime të pretenduara, ZPS-ja pretendon se katër pjesëtarët e Shtabit të Përgjithshëm ishin në dijeni ose kanë pasur arsye të jenë në dijeni.

Gjykata Speciale apo siç quhet zyrtarisht, Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por me seli në Hagë.

Ajo i heton krimet e pretenduara të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë në periudhën prej janarit 1998 e deri në dhjetor 2000, të cilat përmenden në raportin e Këshillit të Evropës në vitin 2011, autor i të cilit është senatori zviceran Dick Marty.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore