Sport

Klopp: Goli i dytë ishte goditje e rëndë, por ende kemi shpresa për kualifikim


Liverpool-i u turpërua nga Real Madrid-i në mbrëmjen e kaluar, duke u mposhtur me rezultat 2:5 në ndeshjen e parë të fazës së 1/8-ve të finales së Ligës së Kampionëve.

Në fakt, anglezët e nisën shumë mirë ndeshjen duke shënuar dy gola brenda 14 minutave të para, por barazimi erdhi që në pjesën e parë me dy golat e Vinicius Junior, e më pas në pjesën e dytë madrilenët shënuan edhe tre herë të tjera.

Pas ndeshjes, foli në konferencën për media trajneri i “The Reds”, Jurgen Klopp, i cili tha se ekipi i tij mori goditje të madhe pas golit të dytë të kundërshtarëve.

“E nisëm ndeshjen në mënyrën më të mirë. Pasi shënuam dy herë kishim në kontroll lojën dhe ishte një atmosferë e jashtëzakonshme në stadium”, tha fillimisht tekniku gjerman.

“Por, ata shënuan dy herë në pjesën e parë dhe ajo ishte një goditje e madhe për ne. Megjithatë gjatë pjesës së parë ende ishim shumë pozitiv, duhet ta pranojmë”, shtoi trajneri gjerman.

Klopp më pas kritikoi edhe lojtarët e tij që nuk pasuan shumë për sulmuesit e tij, më konkretisht te golashënuesi i parë, Darëin Nunez.

“Humbëm shumë topa në momentet e gabuara, nuk mbaj mend një pasim për Nunez në pjesën e dytë”.

“Në fund ua thashë djemve se ishte një goditje e madhe, por një humbje është më e thellë nëse ne nuk mësojmë prej saj”.

Megjithatë, gjermani ende nuk i ka humbur shpresat për një kualifikim tutje, pavarësisht se duhet ta fitojë ndeshjen në Madrid me së paku tre gola epërsi.

“Ne do të mësojmë dhe do të përpiqemi përsëri, ne ende duam të fitojmë në Madrid dhe të kualifikohemi”, tha mes tjerash Jurgen Klopp.

Kujtojmë që ndeshja e kthimit në “Santiago Bernabeu” do të zhvillohet më 15 mars.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore