Shqipëria

Klodian Zoto kërkoi pafajësi në GJKKO përmes avokatit të tij


Biznesmeni Klodian Zoto kërkoi përmes avokatit të tij Ardian Leka pafajësinë në seancën e të enjtes në Gjykatën e Posaçme.

Gjatë kësaj seance u lexua gjithashtu mbrojtja e avokatëve të Pëllumb Abeshit, Serafin Papës dhe Bardhyl Çabirit.

Zoto i kërkoi pafajësi Gjykatës së Posaçme për akuzat kundër tij në dosjen e inceneratorit të Elbasanit.

Avokati Leka tha se nuk besonte në një gjykim të paanshëm për klientin e tij, për shkak të lakimit të emrit të Zotos nga media dhe politika.

Sipas përfaqësuesit juridik, në rastin e inceneratorit të Elbasanit, Zoto ka qenë vetëm avokat i kompanisë Albtek.

Kujtojmë që, biznesmeni Klodian Zoto u shpall më 22 janar të vitit 2022 në kërkim ndërkombëtar nga Policia e Shtetit, pas skadimit të afatit 30-ditor për arrestimin e tij.

Urdhër-arrestin për ndalimin e tij, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) e lëshoi në muajin dhjetor.

Zoto përfshihej në pikën e tretë dhe të fundit të aktakuzës ndaj ish-ministrit të arrestuar, Lefter Koka.

Ky i fundit ishte lidhur me dy kompanitë e biznesmenëve, që ishin pjesë e tenderimit.

Sipas njoftimit, Koka kishte kërkuar dhe më pas kishte pranuar nga dy shoqëritë tregtare, përfitime të parregullta financiare.

Për këtë ishte përdorur, sipas SPAK, një skemë fiktive për kryerjen e punimeve në shoqëritë konçensionare.

Ndaj kompanive sakaq, ka një sekuestro preventive të pasurive.

Një paralajmërim i kreut të SPAK, Arben Krajës, do të vinte më 4 gusht të vitit 2021, kur ai tha se “ka ardhur koha që të ndëshkohen personat e pandëshkueshëm”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore