Lajme

Kleriku ultra-konservativ, Raisi fiton zgjedhjet presidenciale në Iran


Agjencitë e lajmeve, Irna dhe Fars, kanë raportuar të shtunën e 19 qershorit se Ebrahim Raisi, kleriku ultra-konservativ është fituesi i zgjedhjeve presidenciale në Iran.

Në mungesë të të dhënave zyrtare, madje edhe të pjesshme, disa orë pas mbylljes së qendrave të votimit në Iran, kandidatët kryesorë rivalë, e pranuan fitoren e kandidatit ultrakonservator, Ebrahim Raisi, në zgjedhjet e djeshme presidenciale, duke e përgëzuar atë.

Sipas ‘Fars-it’, kandidati, Abdolnasser Hemmati, e përgëzoi atë nëpërmjet një mesazhi, duke e njohur Rais-in si presidentin e tetë.

Ai u shpreh se shpreson që “iniciativat e tij në skenën e brendshme dhe ndërkombëtare t’i sjellin nder Republikës Islamike, zhvillim ekonomik dhe qetësi”.

Gjithashtu, konservatori Mohsen Rezai, ish-komandant i Gardave Revolucionare, uroi nëpërmjet një mesazhi. Ai uroi Udhëheqësin Suprem, Ali Khamenei dhe Presidentin e zgjedhur, Raisi.

Ai i quajti zgjedhjet një provë dhe një “faqe të artë” në historinë e kombit iranian.

Sipas selisë për zgjedhjet, numri i votuesve ishte më i lartë se 42% e regjistruar vitin e kaluar për zgjedhjet parlamentare.

Ish-Presidenti iranian, Hassan Rohani, i bëri urimet e tij për “presidentin e ri” gjatë konsultimit të djeshëm. Ai shtoi se “nuk mund ta emërojë Raisi-n” pasi rezultatet nuk janë njoftuar ende zyrtarisht.

Kush është Ebrahim Raisi?

Raisi, 60 vjeç, ishte kreu i gjyqësorit të Iran-it, një nga pozicionet më të fuqishme të qeverisë iraniane, para se të zgjidhej president.

Ai garoi në zgjedhjet e fundit presidenciale të Iran-it në vitin 2017, duke humbur ndaj Presidentit Hassan Rouhani, i cili siguroi një mandat të dytë katër-vjeçar.

Raisi shihej si kandidati i zgjedhur i udhëheqësit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.

Raisi, njësoj si Khamenei, lindi në qytetin Mashhad në Iran-in verilindor.

Ai është një klerik ultra-konservator, megjithëse nuk e mban statusin e ‘ajatollahut’. Kjo e fundit, është grada më e lartë për klerikët shiitë.

Raisi pretendon se ka një prejardhje që e lidh me profetin Muhamed. Për këtë arsye, ai vendos një çallmë të zezë në kokë.

Për shumë iranianë, figura e Raisi-t lidhet me një seri të përgjakshme gjyqesh dhe ekzekutimesh politike në vitin 1988 pas përfundimit të luftës Iran-Irak.

Asokohe, Raisi punonte si gjyqtar në gjykatën revolucionare të Teheranit. Gjykata po bënte një spastrim të kundërshtarëve të Republikës Islamike, e cila mori pushtetin në zhvillimet e revolucionit të vitit 1979 në Iran.

Grupet e të drejtave të njeriut thonë se Raisi është i përfshirë në vdekjen e mijëra njerëzve. Për disa votues konservatorë, kjo histori shton ndikimin e tij politik.

Në vitet e fundit, Khamenei e ka emëruar Raisi-n në pozicione që e kanë lartësuar figurën e tij në Iran.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore