Sport

Kjo s’ka ndodhur kurrë më parë në historinë e UFC-së


Presidenti i UFC, Dana White

“UFC 279” është një nga ngjarjet më të pazakonshme në organizatën e arteve marciale, pasi është organizuar një kartë e tërë, por ndeshja kryesore nuk është ndeshje për kampion bote.

Zakonisht, kur ka ngjarje në UFC që janë me parapagim, ndeshja kryesore e kartës është për titull kampioni, por këtë herë si meç final është ai në mes të legjendës së arteve marciale Nate Diaz dhe yllit në ngritje, çeçenit nga Suedia, Khamzat Chimaev.

Përkundër se e çuditshme në fillim, gjithçka është bërë edhe më e paqartë në mbrëmjen e së enjtes, kur parashihej të zhvillohej konferenca e fundit për media.

Mendohej ballafaqimi në konferencë me mes të Diaz dhe Chimaev, por ajo është anuluar, pasi akoma para se të fillojë konferenca, ka pasur përleshje në prapaskenë në mes të dy ekipeve.

Është hera e parë në histori që një konferencë e tillë për media duhet të anulohej.

Posteri zyrtar i ndeshjes

“Nuk na ka ndodhur më parë dhe nuk do të na ndodhë asnjëherë tjetër, por u desh ta anulonim, sepse do të mund të bëhej shumë rëndë situata”, ka thënë presidenti i UFC, Dana White.

“Ishte shumë rëndë situata, Diaz ishte me afër 60 veta dhe Chimaev me afër 40 të tjerë. Nëse do ta linim të vazhdonte konferenca do të ishte shumë keq, prandaj më besoni se kemi marrë vendimin e duhur”.

Ende nuk është e qartë se çfarë ka ndodhur në prapaskenë, por raportohet se jo vetëm Diaz e Chimaev, por kishte dhe luftëtarë të tjerë që po përfshiheshin në konflikt.

White ka thënë se për ballafaqimin finale apo sic njihet në UFC si “Face Off”, do të përfatiten shumë më mirë dhe do te ketë më shumë siguri.

Ndeshja mes Diaz dhe Chimaev është një nga ndeshjet më të përfolura kohëve të fundit në UFC. Kjo do të jetë ndeshja e fundit për organizatën për Diaz dhe gjithashtu ndeshje vendimtare për Chimaev, i cili, nëse fiton, me siguri se do të ndeshet për titull kampion.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore