Lajme

“Kjo qeveri është në gjendje të bëjë gjithçka”, Shala pas publikimit të AP-së për kontratën e kundërligjshme të ministres Hajdari


Ferat Shala

“Nëse nuk e vërejnë qytetarët apo mediat kjo qeveri është në gjendje të bëjë gjithçka, kjo qeveri nuk e ka problem tanimë shkeljen e ligjit, fatkeqësisht nuk e di deri në çfarë shkalle do të tolerohen”, ka thënë për Albanian Post deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, njëherësh kryetar i Komisionit Parlamentar për Ekonomi, duke komentuar raportimin e AP-së se ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në Kosovë, Rozeta Hajdari ka nënshkruar kundërligjshëm një kontratë për “realizimin e projektit strategjik me subjektin Kosmonte Foods” – i cili kap vlerën e mbi 11 milionë eurove.

“Shkeljet e ligjit nga kjo qeveri janë bërë normale, dhe sinqerisht duhet institucionet e tjera të drejtësisë të merren me to. Ne përveç që ta ngrisim si çështje nuk kemi mundësi të tjera se çfarë të bëjmë”, shtoi Shala në një prononcim për AP.

Ndërsa, ai për raportimin e AP-së potencoi se ”është e vërtetë e madhe që ministria ka bërë shkelje”.

Pos këtij rasti, ai ka theksuar se ministrja Hajdari ka marrë edhe disa vendime tjera në kundërshtim me ligjin.

“Kjo është një nga shkeljet e radhës, për shkak se kjo ministri ka bërë vazhdimisht shkelje; ka shkelur ligjin për investime strategjike; ka shkelur ligjin për udhëzimin administrativ, dhe po ashtu ka shkelur marrëveshjen e vetë, praktikisht edhe në nen të marrëveshjes është e precizuar qartë se kontraktori duhet të sigurojë garancionin bankar”, shpjegoi ai.

Shala, partia e të cilit e ka ngritur këtë çështje, thotë se ndonëse ka pritur katër muaj për përgjigje nga MINT, megjithatë sqarimi që iu dërgua ia ka vërtetuar dyshimet se kjo ministri e ka shkelur ligjin.

“Në përgjigjejen që e kemi marrë, realisht e konfirmon shkeljen e ministres, e cila ka nënshkruar marrëveshjen pa e siguruar garancionin bankar të cilin e kërkon udhëzimi administrativ”, vuri në pah Shala.

“Pas katër muajve që ne i shkruajmë ministres, ka arritur që një ditë pasi ne i shkruajmë ta sigurojë nga banka një dokument nga banka – i cili duhet të trajtohet nga institucionet përkatëse, i cili është 4 muaj pas nënshkrimit, pra nuk ka valididtet, pra nuk mundet të jetë garancioni retroaktiv të mbulojë përudhën e shkuar”, shtoi ai.

Deputeti i PDK-së që është edhe kryetar i Komisionit për Ekonomi, shtoi se kjo ministri ka edhe disa skandale të tjera, “siç është skandali me grurin, siç është ai me ndihmën shtetërore e raste të tjera”.

Albanian Post ka raportuar gjatë së mërkurës se ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në Kosovë, Rozeta Hajdari ka nënshkruar kundërligjshëm një kontratë për “realizimin e projektit strategjik me subjektin Kosmonte Foods” – i cili kap vlerën e mbi 11 milionë eurove.

Ajo ka dështuar të sigurojë brenda afatit ligjor “sigurinë e shtetit karshi investimit”, në vlerë prej mbi 1 milion euro, duke shkelur kështu ligjin për Investime Strategjike në Republikën e Kosovës.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar nga dy palët, të cilën e ka siguruar Albanian Post nga zyra për medie e MINT, thuhet se marrëveshja dypalëshe u nënshkrua më 30 dhjetor 2022.

Sipas ligjit për Investime Strategjike në Republikën e Kosovës, konkretisht Udhëzimit Administrativ 15/2018, për Mënyrën dhe Metodat e Verifikimit të Përmbushjes së Kritereve për Përcaktimin e Statusit të Investitorit Strategjik, neni 6 pika 12 i cili thotë, “Pas vendimit pozitiv të Qeverisë së Kosovës dhe para nënshkrimit të marrëveshjes me Komisionin Ndërministror, investitori është i obliguar t’i dorëzojë Komisionit Ndërministror garancionin bankar në vlerë prej 10% të vlerës së paraparë të investimit”.

Ekskluzive: Rozeta Hajdari nënshkroi kundërligjshëm kontratë prej miliona eurove

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore