Lajme

Kica Xhelili: “Dinjiteti në drejtësi u shndërrua në denigrim në drejtësi”


Doarsa Kica Xhelili

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica Xhelili, përmes një video-mesazhi ka kritikuar politikat e qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti në sistemin e drejtësisë, duke bërë analogji me premtimet që Lëvizja Vetëvendoje i kishte bërë dhe nismat që po i ndërmarrin tani.

“Dy vite më parë u diskutua për Veting gjithëpërfshirës, Byro, dinjitet në sistem të drejtësisë e padi për gjenocid”, tha ajo dhe tani ajo e sheh një situatë krejt ndryshe duke vlerësuar se “sot Vetingu nuk është gjithëpërfshirës sepse nuk u prioritetizua kurrë mjaftueshëm”.

Kica Xhelili mendon se dinjiteti në drejtësi “u shndërrua në denigrim në drejtësi”, dhe po ashtu shprehet se “qeveria uli paga pikërisht për zbatuesit e drejtësisë”.

Një nga premtimet elektorale të Lëvizjes Vetëvendosje gjatë fushatës zgjedhore ishte edhe padia për gjenocid për Serbinë, të cilën deputetja e LDK-së potencon vetëm një fjalë: “Asgjë”.

“Por, sot me Serbinë u pajtuam për tejkalim të së kaluarës”, shtoi ajo, duke iu referuar Preambulës së Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kica Xhelili ndër të tjera, nënvizoi se “ligjet vazhdimisht rrëzohen nga Gjykata Kushtetuese”, dhe kjo sipas saj vjen si pasojë se “asgjë s’po merret parasysh, asnjë kritikë, asnjë shqetësim”.

“Sidoqoftë, të gjitha nismat e ligjshme po i mbështesim, sepse përçarjet mund të sjellin në pushtet, por jo dinjitet”, shtoi mestjerash ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore