Lajme

Këshilltari i GJED-së mbështet masën ndaj Polonisë dhe Hungarisë


E përditshmja britanike “The Guardian”, ka zbardhur deklaratën e një këshilltari të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë (GJED), i cili konfirmon masën e Bashkimit Evropian ndaj Polonisë dhe Hungarisë.

“Autoritetet e BE-së mund të shkurtojnë fondet për shtetet anëtare që janë të korruptuara dhe të frenojnë gjykatat e pavarura”, tha këshilltari – identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur.

Juristi i lartë i GJED-së nënvizoi se një ligj që lidh fondet e BE-së me respektimin e sundimit të ligjit ishte ligjërisht “korrekt”.

Gjykata zakonisht ndjek mendimin e avokatëve të saj të përgjithshëm dhe pritet të nxjerrë një vendim përfundimtar në fillim të vitit të ardhshëm.

Ligji u miratua në dhjetor të vitit 2020. Kontribuuesit neto në buxhetin e BE-së – Gjermania dhe Holanda – kishin frikë se Hungaria dhe Polonia nuk ishin më në gjendje të garantonin shpenzimin e duhur të fondeve të BE-së.

Qeveritë e dy shteteve të Evropës Qendrore, të cilat janë përfituese neto të fondeve të BE-së, kanë rritur kontrollin ekzekutiv mbi sistemet e tyre gjyqësore.

Një ministër i qeverisë polake reagoi me zemërim ndaj opinionit.

“Kjo është grabitje kundër shtetit të së drejtës që ata duan ta mbrojnë”, tha Sebastian Kaleta, zëvendësministër i drejtësisë.

Zëdhënësi kryesor i qeverisë hungareze, Zoltán Kovács nuk e konsideroi “një vendim, por vetëm një opinion”.

Avokati i përgjithshëm i GJED-së i hodhi poshtë këto argumente, duke thënë se nuk kishte asgjë që e pengonte BE-në.

Kjo, sa i takon përcaktimit të saktë të sundimit të ligjit në një fushë specifike siç është zbatimi i buxhetit.

“Diskrecioni i institucioneve të BE-së mbulon atë zgjedhje legjislative, e cila nuk mund të konsiderohet si haptazi e pasaktë, pasi respektimi i parimeve të shtetit të së drejtës mund të jetë thelbësor për funksionimin e shëndoshë të financave publike dhe zbatimin e duhur të buxhetit të unionit”, thuhet më tej në një deklaratë të gjykatës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore